Ambasada Amerikane: Bashkëpunim i ngushtë me Shqipërinë pas paralajmërimit për kërcënimin iranian
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka reaguar lidhur me paralajmërimin e publikuar sot, ku thuhej se grupe të lidhura me Iranin mund të sulmojnë objektiva të caktuara në Shqipëri.
Një zyrtar i ambasadës theksoi se administrata aktuale amerikane nuk ka përparësi më të lartë se siguria dhe mbrojtja e qytetarëve amerikanë. Ai nënvizoi se ambasada po bashkëpunon ngushtë me autoritetet shqiptare për të vlerësuar situatën dhe për të zbutur rreziqet e sigurisë.
Në reagimin e saj, ambasada e SHBA-ve vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë në çështjet e sigurisë me Qeverinë e Shqipërisë, e cila, sipas tyre, “ka shfaqur një angazhim të vazhdueshëm për të garantuar sigurinë e qytetarëve amerikanë dhe të gjithë banorëve të Shqipërisë”.
Ndërkohë, Ambasada Amerikane njoftoi se do të ofrojë më shumë informacion sapo të jetë i disponueshëm.
Kjo vjen pasi Agjencia për Media dhe Informim e Qeverisë shqiptare, në një deklaratë të mëparshme, theksonte se agjencitë ligjzbatuese të Shqipërisë nuk kishin asnjë informacion shqetësues lidhur me këtë paralajmërim të ambasadës amerikane.