Aksi rrugor Burrel – Skuraj vijon të jetë i degraduar dhe tërësisht i vështirë për të qarkulluar në të si pasojë e probleme me gropat. Ndërkohë, kompania mirëmbajtëse vijon të bëjë sikur po e mirëmban këtë rrugë, herë duke hedhur dhe në asfalt e herë duke mbushur gropa selektive me asfalt. Por megjithëse është e njëjta firmë, ajo po përdor dy standarte në zbatimin e së njëjtës kontratë.

Kjo është mënyra se si ndërhyri firma “Alko-impex” gjatë muajve të vjeshtës së kaluar për të mbushur gropat apo pjesët e deformuara të segmentit nga ura e fshatit Fshat në Klos deri në Qafën e Buallit. Siç duket nga pamjet, kompania ka zbatuar rregullat, duke hapur pjesën e dëmtuar dhe më pas ka hedhur asfaltin e ri, duke ngjeshur edhe me mjet rrul.

Por nuk ka ndodhur kështu me segmentin Skuraj – Burrel. Pasi pak ditë më parë firma hodhi zhavor e dhera në disa pika të kësaj rruge, një ditë më parë ajo ka mbushur disa gropa nga Bushkashi në Baz. Mënyra është krejtësisht e ndryshme nga ajo Klos – Bulqizë, pasi asfalti është hedhur me lopatë. Drejtuesit e mjeteve vijojnë ta quajnë skandaloze gjendjen e kësaj rruge dhe kërkojnë ndërhyrje të institucioneve për t’i kërkuar llogari firmës.Për mirëmbajtjen e rrugëve që përfshin kontrata B e rajonit qendër – verilindje, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka akorduar një fond prej afro 12.2 milion euro për katër vite.

Dritan Kurti