Akulli mbërthen Bulqizën, probleme me qarkullimin e automjeteve

0

   Reshjet e dëborës janë ndëprerë mbrëmjen e së hënës në Bulqizë, duke ja lënë vendin ngricave. Rënia e temperaturave deri në – 7° Celsius ka bërë që të ketë prani të akullit në rrugën e Arbrit në afërsi të tunelit të Qaf Buallit. Drejtuesit e mjeteve janë gjetur të papërgatitur mëngjesin e kësaj të marte duke bërë që të bllokohen në hyrje të tunelit. Mungesa e ndërhyrjes me kripë mbi asfalt nga ana e firmës kontraktore ka sjellë akull në këtë aks duke bërë që qarkullimi të bllokohej për më shumë se një orë. Prani të akullit ka patur në të dy anët e tunelit si në anën e Bulqizës ashtu edhe në anën e fshatit Plan i Bardhë të Bashkisë së Klosit. Është dashur që drejtuesit e automjeteve të ndihmojnë njëri – tjetrin që të vijonin udhëtimin drejt destinacionit të tyre.

 Ndërkohë vetëm pasi situata e krijuar nga bllokimi i automjeteve u bë publike në media, firma kontraktore ka ndërhyrë duke nxjerrë në terren borëpastruese dhe duke hedhur kripë.