Akull në rrugët e Lagjes së Re të Bulqizës, ankohen qytetarët e drejtuesit e mjeteve

0

Temperaturat disa gradë nën zero dhe prania e ujit në xhade ka bërë që rrugët e Lagjes së Re të qytetit të Bulqizës të mbulohen nga akulli. Qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve shprehen se kjo situatë ka ardhur si rezultat i pranisë së ujërave në sipërfaqe. Ata thonë se punimet që po kryhen për ndërtimin e rrjetit të ujërave të ndotura në këtë lagje, kanë bërë që të ketë prani të ujit në sipërfaqe. Banorët shprehen se në ditët me shi, situata përkeqësohet akoma më shumë për shkak se shtohet prania e ujërave të zeza, ndërsa dy ditët e fundit, uji është kthyer në akull duke u bërë burim i rrezikshëm aksidentesh qoftë për këmbësorët e qoftë për drejtuesit e mjeteve. Qytetarët kërkojnë që të merren masa sa më parë nga pushteti vendor për eleminimin e këtyre ujërave, pasi temperaturat e ulta pritet të vijojnë dhe prania e akullit i rrezikon edhe më shumë.

  Qytetarët e Lagjes së Re Bulqizë i kërkojnë mbikqyrësit të zbatimit të projektit për rehabilitimin e ujërave të zeza, t’i kërkojë llogari firmës dhe të rregullojë problemin evident.