Aksioni selektiv i IKMT, asnjë objekt i prishur në anën e Tiranës
Të hënën Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit zbarkoi në rrugën e Arbrit nga fshati Fshat deri në hyrje të tunelit të Murrizit, duke detyruar të gjithë banorët që kishin ndërtuar përgjatë rrugës së Arbrit të prishnin ndërtesat, e në rastet e refuzimit, përdori forcën e fadromës.
Gjatë këtij aksioni IKMT shembi 7 objekte, të cilat shumica ishin me konstrukt druri e kontejnerë dhe vetëm një objekt ishte me beton e hekur.
Por, aksioni është ndalur me kaq. Edhe pse u deklarua se aksioni do të vazhdonte në të gjithë rrugën e Arbrit deri në Tiranë, kjo gjë nuk ka ndodhur. Në anën e Tiranës të rrugës së Arbrit në fshatin Bastar, objekte si ato që u prishën nga IKMT në Xibër ditën e hënë vazhdojnë të ushtrojnë aktivitetin. Madje disa prej tyre janë vetëm 100 metra në dalje të tunelit të Murrizit. Po ashtu, objekte të tilla janë edhe në fshatin “Maricë” e deri tek shkalla e Tujanit.
Nëse aksioni është për të gjithë, atëherë me të drejtët banorët e bashkisë Klos që janë cënuar nga këto prishje kërkojnë që të vazhdojë dhe të mos jetë selektiv. Jashtë kameras, banorët e Xibrit thanë se arsyeja që nuk janë prishur edhe në anën e Tiranës mund të lidhet me zgjedhjet e pjesshme lokale që do të mbahen me datë 9 Nëntor.