Rekamë

Një aksion i beftë në ambjentet e vuajtjes së dënimit në burgjet shqiptare ka zbuluar se emra të njohur të botës së krimit mbanin celularë dhë sende të tjera në amjentet e dhomave, ku është e ndaluar rreptësisht. Sipas burimeve, Admir Tafili, Edmond Leskaj, Asmer Bilali, Safet Bajri dhe Leo Osmënaj janë disa nga emrat e njohur të botës së krimit që u janë kapur celular në qeli.
Admir Tafili i dënuar për vrasje, plagosje dhe porositje të atentateve nga burgu është kapur me telefon në duar në qelinë e burgut të Burrelit ku është duke vuajtur dënimin. Një tjetër emër i njohur është ai i Edmond Leskajt (anëtar i bandës së Gaxhait), të cilit i janë gjetur dy telefona celularë të fshehur poshtë derës së frigoriferit. Telefonat janë gjetur në momentin kur Leskaj dhe shoku i tij Leo Osmënaj po transferoheshin nga Peqini në burgun e Drenovës në Korçë.
Ndërkohë që kontrollit nuk i ka shpëtuar as ish-kampioni i boksit, Asmer Bilali i arrestuar si pjesë e grupit Bajri, që u godit në shtator të vitit të kaluar në Shkodër dhe në Tiranë me në krye Safet Bajrin. Ky i fundit duket se ishte sebepi i këtij aksioni, pasi një ditë më parë në media qarkulloi një video e Safet Bajrit, i cili filmonte live një emision në tv. Gjatë kontrollit të ushtruar në burgun “313” në Tiranë Bilalit, që rreth dy muaj më parë iu vra i ati dhe xhaxhai në atentat në Shkodër i është gjetur një celular ‘iPhone 5’.
Kontrolli ka qenë i befasishëm dhe sapo ka parë efektivët, Bilali e ka hedhur celularin në tualet, por kjo nuk e ka shpëtuar, pasi telefoni është sekuestruar. Dje ministrja Gjonaj zhvilloi një takim me punonjësit e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, teksa njëra nga pikat e diskutimit ishte edhe kjo e fundit.
Aksioni në fjalë nxjerr në pah mungesën e profesionalizimit të policisë së burgjeve, të cilëve ju kalojnë ‘nën hundë’ sende të palejuara në ambjentet e vuajtjes së dënimit, ndërsa nga ana tjetër drejtoria e burgjeve ndërmerr aksione për të goditur sistemin që vetë ajo drejton. Një absurditet që mund të ndodh vetëm në Shqipëri, ku policia e burgjeve e shet si operacion efektiv kapjen e celularëve në burgje, ndërkohë që në disa raste kanë qenë vetë efektivët e burgjeve, të cilët kanë tentuar të fusin sende të palejuara brenda ambjenteve të izoluara.