Aksidentoi makinën luksoze në rrethrrotullimin e “vdekjes”, si humbi jetën i riu

Një aksident i rëndë ndodhi mëngjesin e ditës së sotme ku një 28 vjeçar humbi jetën.

Ngjarja tragjike ndodhi në rrethrrotullimin e Kolonjës, një pikë e njohur si njollë e zezë në rrugët shqiptare.

Rreth orës 03:10 të mëngjesit të sotëm, një makinë luksoze e tipit Range Rover, doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal me ujë. Si pasojë e aksidentit, humbi jetën 28 vjeçari Mandelino Rrebeshi, ndërsa shoku i tij 30 vjeçar Elisjon Hima u plagos rëndë.

Dy të rinjtë e kishin marrë borxh makinën nga kushëriri i njërit prej tyre dhe sipas dëshmive, janë aksidentuar për shkak të shpejtësisë së lartë. Makina ka dalë nga rruga dhe ka shkulur nga vendi bordurat anësorë të rrugës.

Më pas makina është përplasur me një shtyllë e më tutje ka përfunduar në kanal.

Një kalimtar i rastit ka qenë ai që ka mundur të nxjerrë 30 vjeçarin e plagosur rëndë, ndërsa për viktimën është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve.