Një 32 vjeçar mbeti i lënduar pasditen e së premtes në galeritë e minierës që menaxhohet nga Albchrome në Bulqizë. një 32 vjeçar punëtor i nëntokës është goditur nga gurët teksa ishte në frontin e punës.
Ai është dërguar menjëherë në spitalin e Bulqizës ku dhe ka marrë ndihmën e nevojshme e fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. policia e Dibrës njoftoi këtë të shtunë se për ngjarjen në fjalë ka proceduar penalisht përgjegjësin e sigurisë.
“Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprën penale “Shkelje e rrrgullave të mbrojtjes në punë”, për shtetasin, N. Gj., 42 vjeç, banues në Bulqizë, punonjës pranë një firme minerare në Bulqizë.
Procedimi penal ndaj tij filloi pasi ky shtetas nuk ka bërë kontrollin teknik të frontit të punës sipas rregullores dhe për pasojë gjatë punës në galeri është shembur një copë minerali dhe ka mbetur i lënduar shtetasi H. R., 32 vjeç,(punëtor), i cili ndodhet për mjekim në spital, jashtë rezikut për jetën” – thuhet në njoftimin e Policisë.
Ngjarje të tilla janë të shpeshta në galeritë e kromit në Bulqizë, ndërsa në disa raste kanë qenë edhe fatale me humbje jete njerëzish.