
Një aksident rrugor u shënua mëngjesin e sotëm në aksin nacional Bulqizë-Peshkopi. Një automjet humbi kontrollin dhe u përmbys në rrugë. Si pasojë u plagos shoferi, i cili u dërgua me urgjencë drejt spitalit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Shkak u bë prania e akullit në rrugë, një fenomen ky që ndeshet shpesh gjatë stinës së dimrit në këtë aks. Ndërkohë vetëm pas këtij aksidenti, firma mirëmbajtëse është kujtuar të hedhë kripë në segmentin rrugor.
Banorët e zonës shprehen se rruga është e rrezikshme në stinën e dimrit për shkak të ngricës që krijohet. Sipas tyre, bllokimi i kanaleve kulluese bën që uji të vërshojë në asfalt dhe gjatë natës të kthehet në akull.
Aksi nacional Bulqizë – Peshkopi kërkon mirëmbajtje të vazhdueshme gjatë stinës së dimrit për shkak të uljes së ndjeshme temperaturave dhe krijimit të akullit në disa segmente.