Aksidentet tek Ura e Vashës të shpeshta
Aksidentet në rrugën e Arbrit janë të shumta dhe disa pika janë kthyer në problem shqetësues. Veç zonave problematike në dalje të qytetit të Bulqizës dhe në afërsi të qytetit të Peshkopisë, edhe mbi urën e njohur si “Ura e Vashës’ ka patur disa aksidente. Më i fundit ka qenë në orët e para të kësaj të enjteje, ku siç njofton policia një automjet është përplasur me bordurën anësore të rrugës duke u shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe dëmtim të drejtuesit të tij. Por ky nuk është aksidenti i vetëm në këtë urë. Shpesh automjetet përplasen me barrierat metalike apo bordurat e betonit teksa kalojnë nga njëra anë në tjetrën. Jashtë kameras, drejtues automjetesh thanë se shpesh ndriçimi mbi urë nuk është funksional e po ashtu edhe sinjalistika fosforeshente. Ata mendojnë se këto dy janë shkaqet më të shumta të aksidenteve që zakonisht mbi këtë urë ndodhin gjatë natës. Numrin e lartë të aksidenteve mbi këtë urë e tregojnë edhe shenjat e lëna nga automjetet të cilat kanë dëmtuar mbrojtëset anësore dhe bordurat e betonit. Për shkak të strukturës pasi të dyja hyrjet e urës janë nga daljet direkte të tunelit, shpesh drejtuesit e mjeteve përballen me befasi.