Aksident në Suç, shpëtojnë mrekullisht dy të rejat që udhëtonin në një automjet
Një aksident i cili mund të përfundonte tragjikisht është regjistruar këtë të hënë në aksin rrugor Burrel – Klos, në Suç. Një automjet tip benz u batua disa herë në rrugë, por për fat të mirë nuk pati viktima.
Në automjet mësohet se udhëtonin dy vajza të cilat ishin duke udhëtuar në drejtim të Burrelit. Nga raporti paraprak mësohet se njëra nga vajzat e cila ka qenë drejtuese e automjetit ka humbur kontrollin e këtij të fundit e për pasojë ka përfunduar në kanalin anësor të rrugës e më pas është përplasur me një bordurë që përdorej nga banorët e zonës për të kaluar në anën tjetër të rrugës.
Pikërisht në këtë moment dyshohet se automjeti është batuar disa herë për të ngecur më pas gjysma në kanal e gjysma në rrugë. Kanë qenë kalimtarët e rastit ata të cilët kanë bërë të mundur nxjerrjen e dy vajzave nga automjeti, që më pas janë transportuar drejt spitalit të Burrelit.
Sipas bluzave të bardha të këtij spitali të dy vajzat janë jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor mbërriti në vendin e ngjarjes për të zbardhur shkaqet e vërteta të aksidentit.
Ndërkohë, sipas uniformave blu të rejat punonin në një agjensi për surpriza në raste gëzimesh familjare dhe po shkonin tek një event i tillë.