Aksident në një galeri kromi në Bulqizë, policia e referon si aksidentale
Një tjetër aksident me pasoja të rënda është regjistruar në një galeri kromi në minierën e Bulqizës. Në një deklaratë për mediat, policia e Bulqizës thotë se e ka referuar rastin si aksidental. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori për një ngjarje aksidentale, pasi shtetasi A.L, 49 vjeç, banues në Burrel, dyshohet se është rrëzuar aksidentalisht gjatë punës në një subjekt minerar. Si pasojë, 49-vjeçari është dëmtuar dhe ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Rasti është mbajtur i fshehtë, dhe sipas minatorëve kjo ka ndodhur edhe në shumë raste të tjera në galeritë e kromit të minierës së Bulqizës që nuk janë bërë fare publike. Gjithashtu në deklaratën e policisë nuk jepet asnjë detaj për subjektin se ku ka ndodhur ngjarja. Sipas minatorëve dhe ish-minatorëve të mininierës së Bulqizës, kompanitë mineralnxjerrëse e bëjnë këtë për të fshehur penalitetet nga institucionet shtetërore, madje sipas tyre, në shumë raste të plagosurit dërgohen në spitale private, për t’ju shmangur ndëshkimeve ligjore që merren në ngjarje të tilla. Ndërkohë, mësohet se për plagosjen e minatorit kanë nisur hetimet nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes në Punë dhe Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera.