Aksident në minierën e Bulqizës, procedohet brigadieri i një subjekti

0

Policia e Bulqizës ka proceduar penalisht brigadierin e një subjekti minerar pasi nuk respektoi rregullat që kanë të bëjnë me kontrollin e gjendjes së galerisë, e për pasojë mbeti i lënduar një punëtor.

Ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites së të hënës, ku gjatë punës në një subjekt minerar, si pasojë e shembjes së disa gurëve brenda në galeri, ka mbetur i lënduar jashtë rrezikut për jetën, shtetasi L.D, 50 vjeç, (me profesion vagonist në minierë). Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, për shtetasin G.F., 42 vjeç, banues në Bulqizë, me detyrë brigadier në një subjekt minerar, në Bulqizë.

Ky shtetas dyshohet se nuk ka respektuar rregullat dhe nuk ka marrë masa për kontrollin e gjendjes teknike të galerisë, me qëllim sigurimin e jetës së punëtorëve që punonin në atë galeri.

Ky është aksidenti i parë i raportuar në galeritë e kromit për vitin 2024, ndërsa gjatë vitit të kaluar pati një numër të lartë aksidentesh me pasojë plagosjen e punëtorëve të nëntokës.