Aksident në Maqellarë - Peshkopi, plagosen babë e bijë

Aksident në Maqellarë - Peshkopi, plagosen babë e bijë
Një tjetër aksident është regjistruar në orët e para të ditës së sotme në aksin nacional Maqellarë – Peshkopi. Një automjet në të cilin udhëtonin babë e bijë u përplas me murin anësor të rrugës në vendin e quajtur Melan. Si pasojë e përplasjes kanë mbetur të plagosur të dy personat që ndodheshin në automjet. Ata janë transportuar fillimisht në spitalin e Dibrës e për shkak të gjendjes së rëndë, vajza 45-vjeçare u transportua për ndihmë më të specializuar në spitalin e Traumës në Tiranë. Ndërkohë, babai i saj, i cili ishte edhe drejtues mjeti, po merr mjekim në spitalin e Dibrës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes për të zbardhur shkaqet e vërteta të aksidentit, ndërsa paraprakisht dyshohet se shkak ishte humbja e kontrollit të drejtuesit të automjetit. Që prej ndërtimit të lotit të tretë të rrugës së Arbrit në segmentin Herebel – Peshkopi janë shkaktuar dhjetra aksidente, kryesisht në ditët me lagështi. Një tjetër aksident ndodhi pasditen e djeshme në aksin rrugor Maqellarë–Bulqizë, ku një 65-vjeçar gjatë drejtimit të automjetit të tij, aksidentoi këmbësorin, shtetasin B.P., 72 vjeç, dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Si pasojë, 72-vjeçari mbeti i dëmtuar dhe ndodhet në Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve. Ndërkohë, uniformat blu arritën të zbulojnë autorin dhe bënë arrestimin e shtetasit A.Sh, 65 vjeç, banues në Maqellarë, i cili, pasi aksidentoi 72-vjeçarin, tentoi t’i shmangej përgjegjësisë duke u larguar nga vendi i ngjarjes.