Aksident në fshatin Trepçë të Dibrës, makinat përplasen kokë më kokë, plagoset rëndë një grua
Një aksident i rëndë është shënuar në aksin Maqellarë – Peshkopi pak minuta më parë. Dy automjete u përplasën kokë më kokë në fshatin Trepçë. Një automjet që lëvizte në drejtim të Peshkopisë është përplasur me mjetin tjetër vinte në drejtim të Maqellarës e për pasojë janë shkaktuar dëme të mëdha.
Ndërkohë, në mjetin Ford Kuga udhëtonte punonjësi i doganës së Bllatës, Novruz Jashari i cili ka mbetur i lënduar, ndërsa e plagosur ka mbetur një pasagjere që ndodhej në mjetin tip Toyota Yaris. Kjo e fundit është dërguar për mjekim në spitalin Rajonal të Dibrës, por për shkak të plagëve të marra është transportuar me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë.
Në vendin e ngjarjes ka mbërritur grupi hetimor i cili pritet të zbardhë shkaqet e vërteta të aksidentit. Paraprakisht dyshohet se shkak të jetë bërë humbja e kontrollit të mjetit nga ana e drejtuesit të makinës Toyota Yaris.