Aksident në Bulqizë, dy makina përplasen kokë më kokë
Një aksident është regjistruar këtë të enjte në aksin rrugor Bulqizë – Peshkopi.
Dy automjete u përplasën kokë më kokë në vendin e quajtur “Ura e Vocit” në fshatin Vajkal.
Njëri nga automjetet po lëvizte në drejtim të Bulqizës dhe tjetri në drejtim të Peshkopisë kur janë përplasur në rrugën që lidh lagjen e vjetër të Bulqizës me rrugën e Arbrit.
Si pasojë e përplasjes, dy persona mbetën të lënduar. Në vendin e ngjarjes mbërriti autoambulanca e spitalit të Bulqizës.
Grupi hetimor ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e vërteta të aksidentit.
Ndërkohë, kjo zonë konsiderohet pika e zezë e rrugës Bulqizë – Peshkopi ku janë regjistruar shumë aksidente, dhe fatkeqësisht ka patur edhe me fatalitet në humbje jete njerëzore.
Vetëm dy javë më parë dy automjete u përplasën në të njëjtin vend ku njëri prej tyre përfundoi jashtë rruge. Fatmirësisht nuk pati viktima, por vetëm të lënduar e dëme materiale.
Shpeshherë në këtë “pikë të zezë” rrugore vendoset kontroll policor, por deri tani nuk është bërë i mundur disiplinimi i drejtuesve të automjeteve, të cilët nuk respektojnë sinjalistikën e përparësisë së lëvizjes.