Aksident në Bulqizë, dy automjeteve përplasen kokë më kokë
Dy automjete u përplasën kokë më kokë këtë të hënë në aksin rrugor Bulqizë – Peshkopi në vendin e quajtur Vajkal. Një automjet që vinte nga Peshkopia në drejtim të Bulqizës dhe mjeti tjetër nga Bulqiza në drejtim të Peshkopisë u përplasën në rrugën që lidh lagjen e vjetër të Bulqizës me rrugën e Arbrit.
Si pasojë e përplasjes së fortë, njëri nga automjetet përfundoi disa metra jashtë rruge.
Për fat të mirë nuk pati viktima nga kjo përplasje ndërsa të dy drejtuesit e automjeteve u dërguan në spitalin e Bulqizës për t’ju nënshtruar një kontrolli mjekësor.
Policia e Bulqizës mbërriti në vendin e ngjarjes ndërsa grupi hetimor nisi hetimet për të zbardhur shkaqet e vërteta të aksidentit. Paraprakisht dyshohet se shkak të jetë bërë lëvizja tej normave të lejuara të të dyja automjeteve.
Vendi i quajtur “Ura e Vocit” që lidh rrugën e Arbrit me lagjen e vjetër të Bulqizës është pika më e zezë e aksit deri në Maqellarë. Në një distancë prej 300 metrash këtu janë shkaktuar me dhjetra aksidente, ndërsa ka patur edhe humbje jete njerëzore, ku një mësuese pak muaj më parë u përplas për vdekje nga një makinë.