Aksi rrugor Lapidari Zenisht deri në rrëshen ka probleme të shumta me gropa kudo, rënie gurësh e dherash, por më shqetësuese situata është tek urat. Bëhet fjalë për urat nga fshati Urakë në drejtim të Rrëshenit. Në mungesë të mirëmbajtjes, atop o dalin jashtë funksionit. Rasti flagrant është i kësaj ure e cila ndodhet në kufirin ndarës administrative mes Matit dhe Mirditës. Siç duket nga pamjet, ujërat e shiut kanë bërë punën e tyre duke krijuar këtë zgavër në hyrje të urës.
Mungesa e mirëmbajtjes ka bërë që ujërat të rrjedhin në qejfin e tyre, duke shkaktuar dëm shumë të madh në këtë vepër arti. Mungesa e kanalizimeve ka bërë që të dëmtojë pjesën hyrëse të urës, ndërsa sipërfaqja e saj të mushet me ujë dhe të duket si liqen. Mjetet që lëvizin në këtë segment rrugor duhet të tregojnë shumë kujdes pasi rreziku është evident në çdo rast pasi është ngushtuar gjerësia e karrexhatës.
Për këtë rrezik mungon totalisht edhe sinjalistika rrugore, ku e vetmja shenjë që tregon problemin janë këto gurë të vendosur në hyrje të urës, që me shumë gjasë janë vendosur nga ndonjë drejtues mjeti apo banorë i zonës. Aksi rrugor Urakë – Rrëshen është ndërtuar afro 11 vite më parë, por që nga ndërtimi i tij nuk ka patur mirëmbajtje duke bërë që e gjithë rruga të degradojë si mos më keq.
Dritan Kurti