Aksi Librazhd-Bulqizë i mbuluar nga dëbora, qindra turistë të bllokuar, institucionet në heshtje

Aksi Librazhd-Bulqizë i mbuluar nga dëbora, qindra turistë të bllokuar, institucionet në heshtje
Një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore të viteve të fundit në zonën lindore të vendit, rruga e re Librazhd-Bulqizë, konkretisht aksi Zgosht–Ura e Çerenecit, është shndërruar këtë fundjavë në një problem serioz për qindra qytetarë dhe turistë. Segmenti që përshkon mes për mes fshatin turistik Fushë Studen, në Njësinë Administrative Steblevë të bashkisë Librazhd, deri në mesditën e së dielës ka qenë pothuajse i pakalueshëm, për shkak të mungesës totale të ndërhyrjes për pastrimin e dëborës dhe hedhjen e kripës. Sipas burimeve nga terreni, firma kontraktore përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugës nuk ka kryer asnjë ndërhyrje, pavarësisht reshjeve të dendura të dëborës dhe temperaturave të ulëta që kanë sjellë ngrica të rrezikshme. Si pasojë, me dhjetëra automjete dhe qindra turistë, të nisur drejt turizmit malor në Parkun Kombëtar të Shebenikut, kanë mbetur të bllokuar për orë të tëra në zonën e njohur si “Shkalla e Lunikut”. Situata është bërë edhe më problematike nga vonesat e shumta në reagim, pasi kërkesat e vazhdueshme të drejtuesve të mjeteve dhe turistëve për ndërhyrje janë marrë parasysh vetëm pas një kohe të gjatë, duke lënë qytetarët në kushte të vështira, mes të ftohtit dhe rrezikut për aksidente.