Adriatik Lapaj nuk dorëzohet kollaj, sërish kërkesë KAS-it që mandati t’i shkojë në duart e tij: E meritoj unë, jam më i votuari

Adriatik Lapaj nuk dorëzohet kollaj, sërish kërkesë KAS-it që mandati t’i shkojë në duart e tij: E meritoj unë, jam më i votuari

“Shqipëria Bëhet” ka ankimuar vendimin e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve, i cili rrëzoi zyrtarisht kreun e KQZ-së, Ilirjan Celibashin, duke ia hequr të drejtën për t’u bërë deputete kushërirës së Lapajt, Kleana Xhuvelit, dhe duke ja kaluar mandatin Ana Dajkos.

Pas këtij vendimi, partia nuk ka ndërmend të ndalet dhe ka depozituar një kërkesë tjetër në KAS, duke kërkuar që mandati t’i jepet kandidatit më të votuar në listën e hapur, i cili është edhe kreu i kësaj force politike. Aktualisht, mandati është në duart e Ana Dajkos, të ëmës së kandidatit të “Nisma Shqipëria Bëhet” në Vlorë, Vasil Dajko.

Më 23 korrik, kreu i KQZ-së u përpoq të zgjidhte mosmarrëveshjen mes dy ish-aleatëve, Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, për mandatin në Parlament. Lapaj mbeti jashtë Kuvendit, ndërsa mandati i “Nisma Shqipëria Bëhet” iu dha Kleana Xhuvelit.

Celibashi sqaroi se ligji nuk lejon që kandidatët në listën e mbyllur të heqin dorë nga mandati pas konfirmimit të listave nga KQZ. Ai shtoi se për të kaluar mandatin kandidatit më të votuar në listën e hapur, të gjithë kandidatët në listën e mbyllur duhet të heqin dorë së pari. Megjithatë, me kërkesën e Zeqir Kordhonit, i cili kërkoi të hynte në Kuvend, u bë e pamundur që Lapaj të merrte mandatin.

Në këtë situatë, Kleana Xhuveli, e renditur më lart në listën e mbyllur, kërkoi mandatin dhe e fitoi atë. “Kleana Xhuveli ka deklaruar se dëshiron të marrë mandatin, dhe pasi ajo është e renditur më lart në listë, e drejta i takon asaj,” tha Celibashi.

Megjithatë, çështja nuk përfundoi këtu. Lapaj paraqiti një ankesë në KAS, e cila vendosi që mandati t’i kalonte Ana Dajkos. Tani, mbetet të shihet se kush do të zërë vendin përfundimisht në Kuvendin e Shqipërisë.