Acari mbërthen Qarkun Dibër, rinisin reshjet e borës, ngrica në rrugët nacionale

Acari mbërthen Qarkun Dibër, rinisin reshjet e borës, ngrica në rrugët nacionale
Qarku Dibër mbetet në situatë të vështirë, e krijuar nga kushtet atmosferike të ditëve të fundit. Pas problemeve të shkaktuara me rrëshqitjet e tokës nga reshjet e shiut, dëbora e rënë gjatë ditës së enjte ka krijuar problematika të tjera. Ulja e temperaturave ka krijuar akull në pjesën më të madhe të rrugëve të Qarkut Dibër, kryesisht në bashkitë Bulqizë e Dibër. Rikthimi i reshjeve të dëborës këtë të premte, kur temperaturat janë nën zero, ka krijuar akull në rrugën nacionale Bulqizë – Peshkopi duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve. Me gjithë paralajmërimet e bëra nga shtabi i mbrojtjes civile kompanitë mirëmbajtëse nuk kanë qenë në gjendje ta mbajnë në kohë hapur e paprobleme rrugën. Situatë e rënduar mbetet edhe në rrugët e fshatrave ku ka prani të akullit dhe dëborës që shkon deri në ë0 centimetra në zonat e thella malore. Aktualisht në Qarkun Dibër rrugët e kalueshme pa probleme janë: Bulqizë – Tiranë (rruga e Arbrit), Bulqizë – Burrel – Milot dhe Burrel – Rrëshen. Në rrugët Ura e Çerenecit – Librazhd dhe Peshkopi – Kukës kalohen me vështirësi ku kërkohet që drejtuesit e mjeteve të jenë të pajisur me goma dimërore dhe zinxhirë. Sakaq, reshjet e dëborës kanë sjellë probleme edhe me energjinë elektrike. Në Lurë, si dhe në disa Njësi Administrative në Bulqizë dhe në Klos janë pa energji, ndërsa grupet e OSHEE ndodhen në terren për të riparuar defektet.