
Gara në kategorinë e parë në futboll ishte parashikuar të niste një muaj më parë. Por jo vetëm që nuk ka nisur kampionati, por nuk ka as edhe datë. Shkak për këtë është bërë bojkoti nga ekipet e superligës, bojkot i cili mbështetet edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Ndërkohë, ky bojkot po zgjat periudhës e stërvitjes të ekipeve të kategorisë së parë e rrjedhimisht edhe kohën e pagesave që klubet duhet tju bëjnë sportistëve dhe stafit teknik.
Edhe pse kampionati ende nuk ka nisur klubet e kategorisë së parë po paguajnë sportistët që në fakt në kontratë e kanë aq javë sa ka një sezon. Burime pranë klubit të Burrelit thanë se kjo zgjatje e fillimit të kampionatit, po shkakton pasoja ekonomike pasi buxheti i klubit është i planifikuar dhe i miratuar nga bashkia, ndërsa me vijimin e zgjatjes, do të rritet edhe vlera buxhetale që i duhet klubit për të paguar stafin dhe futbollistët.
Një tjetër situatë shqetësuese që po krijohet nga bojkoti i zgjatur i elitës së futbollit për kategorinë e parë është edhe rënia e nivelit të lojtarëve pasi ende nuk janë provuar në garë të vërtetë. Megjithëse ekipi i Burrelit ka qenë aktiv gjatë kësaj periudhe qoftë me stërvitje apo ndeshje miqësore, zgjatja e bojkotit shihet shqetësuese.