Ekipe të ndryshme të sportit prej ditësh kërkojnë rinisjen e aktiviteve të ndërprera që me datën 10 Mars për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi. Një ndër skuadrat që ka kërkuar publikisht rikthimin në fushën e gjelbërt është edhe Burreli. Përfaqësues të KF Burreli i kërkuan autoriteteve rinisjen e stërvitjeve, duke ju bashkuar kështu dhjetra klubeve të kategorive të ndryshme të kampionatit të futbollit në vendin tonë. Por një kërkesë e tillë ende nuk ka gjetur konfirmim nga autoritetet. Vetë Ministrja e Shëndetësisë Orgerta Manastirliu deklaroi mbrëmjen e kaluar se nuk mund të ketë një rikthim të shpejtë, qoftë edhe për stërvitje pasi situata e Covid-19 është në një moment me risk të lartë. Manastirliu tha se vetëm në dy javët e ardhshme do të vendoset për sportet, duke parë situatën se si do të vijojë. Por nga ana tjetër, është FSHF e cila i ka dëruar qeverisë dhe ministrisë së shëndetësisë një shkresë të dytë, duke i kërkuar nisjen e aktivitetit bazuar në një protokoll të konsultuar me ekspert të UEFA-s, FIFA-s dhe mjekët e ekipeve shqiptare. Por kjo shkresë ashtu si ajo e datës 28 Prill nuk kanë marrë ende përgjigje nga Kryeministri Edi Rama dhe Ministria e Shëndetësisë. Megjithëse kampionati është ndërprerë, ekipet vijojnë të paguajnë me buxhetin e tyre lojtarët, ku në rast se situata vijon atëherë do të kenë probleme me parat të cilat janë planifikuar për 27 javë që zgjat një sezon. Shtyrja me dy apo tre muaj, do të bënte që ekipet të cilat nuk kanë përfituar asgjë nga fondi i akorduar nga FSHF të gjendjen pothuajse në kolaps ekonomik.