Me hapjen e tunelit të Murrizit, rruga e Arbrit u konsiderua e përfunduar. Por në të vërtetë a janë mbyllur përfundimisht punimet në këtë vepër? Gjatë një vëzhgimi të bërë nga fshati Plan i Bardh deri në hyrje të Tiranës, vihet re se sinjalistika vertikale tregon se ka ende punime pasi maksimumi i shpejtësisë së lëvizjes është 40 km në orë. Por ndryshe tregon sinjalistika horizontale, pasi është e gjitha e bardhë. Një tjetër problem i këtij aksi të cilin e ngrejnë shpesh drejtuesit e automjeteve janë edhe hapsirat e parakalimit. Kjo pasi nga fshati Shkallë i Xibrit nga ana e Klosit deri në Tiranë janë vetëm dy segmente për të parakaluar në vendin e quajtur “Zall Maricë” në afërsi të Zall Dajtit. Por si të mos mjaftonin këto, në pjesën që kalon përmes njësisë administrative Xibër, ka edhe probleme të tjera. Roland Hoxha, banorë i fshatit Xibër – Murrize thotë mungojnë vendkalimet për këmbësorët dhe rruga dytësore për të kaluar kafshët.
Një tjetër problem është edhe qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë të kompanisë “Gjoka Konstruksion” e cila merr inerte në fshatin Kloskatund të Klosit dhe i dërgon ato pranë impiantit të prodhimit të asfaltit në Zall Dajt të Tiranës.