Komiteti Teknik i Ekspertëve ka bërë vlerësimin e situatës nga pandemia e koronavirusit, për dy javët e fundit në vendin tonë.

Ekspertët deklaruan se shifrat në vendin tonë, në veçanti incidenca 356 raste për 100 mijë persona, mbetet më e ulëta në rajon dhe nën mesataren e Bashkimit Europian. Ndaj komiteti Teknik ka vendosur të mos merren masa shtesë për javën në vijim.

Në fund të kësaj jave, do të ketë një vlerësim tjetër të situatës.

“Incidenca dy javore eshtë 356 raste për 100 mijë banorë, shifër kjo më e ulët se vendet e rajonit e cila është 848 raste për 100 mijë banore dhe më e ulët se mesatarja e vendeve  të Bashkimit Europian e cila në dy javet e fundit është 510 raste për 100 mijë  banorë.

Vihet re një qëndrueshmëri e numrit të pacientëve të shtruar në spitalet COVID që kanë nevojë për trajtim spitalor, por ka një rritje të lehtë të rasteve që kanë nevojë për trajtim në terapinë intensive. Përqindja e humbjes së jetëve në raport me numrin e të infektuarve vijon të mbetet në shifrën 2.1 %”, tha drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico.

“Siç duket edhe nga raporti ynë, gjendja mbetet relativisht e qëndrueshme dhe do të na duhet edhe një javë tjetër për të gjykuar nëse do të mbeten të njëjtat masa apo do të kemi nevojë për masa të tjera”, u shpreh zv/ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli.