Futboll / Burreli mund Erzenin dhe mban vendin e katërt

0
54

  Është zhvilluar këtë të shtunë ndeshja e javës së 28 e kampionatit të kategorisë së parë në futboll mes ekipit “Burreli” dhe ekipit “Erzeni”. Takimi është luajtur në fushën e stadiumit “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit, ku djemtë e drejtuar nga trajneri Ditmar Bicaj arritën të marrin tri pikë të plota.

Ndeshja mes skuadrës vendëse dhe asaj mike prodhoi emocion megjithëse nuk pati tempin e një ndeshje të barabartë. Matjanët patën disa raste për të shënuar në portën mike por aksionet e Farrukut, Hotit, etj. nuk u finalizuan me gol.

I vetmi gol i këtij takimi erdhi nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 35. Pas një ndërhyrje të gabuar nga mbrojtja mike, kapiteni i skuadrës së Burrelit, Florenc Farruku nuk gaboi në gjuajtjen e tij, duke shënuar golin e vetëm të sfidës.

E gjithë loja u mbyll me rezultatin “Burreli” 1 e “Erzeni” i Shijakut 0, ndonëse edhe në fraksionin e dytë djemtë e drejtuar nga tekniku Bicaj patën disa raste. Me këto tri pikë, Burreli vijon të mbajë vendin e katërt në kuotën e 50 pikëve. Ndeshjet e tjera të luajtura këtë të shtunë përfunduan: Kastrioti – Vora 0 me 1, Pogradeci – Besa 0 me 1, Lushnja – Flamurtari 0 me 4, Apolonia – Valbona 2 me 1 dhe Korabi – Kukësi 1 me 1.