
Të martën, më 17 dhjetor, në orën 18:01, një tërmet me magnitudë 3.8 të shkallës Rihter goditi vendin tonë, me epiqendër në Qafë Murrë të Dibrës, pranë kufirit me Matin. Lëkundjet sizmike, me një thellësi prej 15.2 kilometrash, u ndjenë jo vetëm në zonat e afërta si Mat dhe Klos, por edhe në Tiranë dhe disa qytete të tjera.
Sipas Prefektit të qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, i cili njëkohësisht kryeson Shtabin e Emergjencave Civile, raportimet paraprake nga katër bashkitë e qarkut konfirmojnë se nuk ka dëme në njerëz apo banesa. Megjithatë, theskoi Shehu, verifikimet në terren vijojnë, për të siguruar një vlerësim të plotë të situatës dhe, nëse do të jetë e nevojshme, do të ngrihen grupe pune për vlerësimin e dëmeve.
Në lidhje me masat e marra nga pushteti vendor e qendror për të dëmtuarit nga tërmeti i vitit 2019 në qarkun Dibër, Prefekti Shehu deklaroi se që në tetor janë likuiduar të gjitha dosjet për dëmshpërblime, bazuar në vlerësimet e komisionit përkatës. Dëmet janë kompensuar deri në masën 50% të vlerës së tyre, sipas ligjit. E nga ana tjetër, tha Shehu, Bashkitë e qarkut kanë vijuar të ofrojnë mbështetje për familjet e dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019, duke akorduar qira-bonus dhe duke i sistemuar në banesa sociale. Institucionet përgjegjëse në Qarkun Dibër vijojnë monitorimin e situatës aktuale pas tërmetit të së martës dhe janë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast nevoje, duke pasur prioritet sigurinë e jetës së qytetarëve