Shuhet shkrimtari Rakip Lasku Një personalitet që artit dhe kulturës matjane do t’i mungojë shumë

0
30

Pas një sëmundje të pashërueshme, u nga nga jeta në moshën 77-vjeçare shkrimtari, poeti dhe studiuesi i njohur matjan Rakip Lasku.

Ai u lind në fshatin arsimdashës, Guri i Bardhë i Matit dhe, ashtu si qindra bashkëfshatarë të tij, ndoqi rrugën e dijes, duke mbaruar Fakultetin Histori-Filologji në degën Histori-Gjeografi. Shkollimin në këtë degë e shfrytëzoi jo vetëm në mësimdhënie, por edhe në gjurmimin dhe studimin e traditave dhe riteve të ndryshme në organizimet familjare të gurabardhasve e më gjerë. Këto të dhëna dhe ato të dhjetëra ekspeditave etnografike, nga veriu në jug të Shqipërisë, ai i dërgoi në arkivin e Institutit të Kulturës Popullore, sot Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve, duke dhënë një kontribut të çmuar në këtë fushë. Shërbeu si mësues deri sa doli në pension, filimisht në Peshk të Martaneshit, e më pas në vendlindje në Gurë të Bardhë.

Që në moshë të re Rakip Lasku shfaqi talentin e tij në krijimtari letrare. Në vitin 1969 botoi vëllimin e parë me poezi “Ditari i alpeve”. Është autor i disa librave me poezi për fëmijë, ku shquhen “Jam borizan”, “Trim si ju do jem dhe vetë”, “Matematika zbavitëse” dhe “Çerdhja e lejlekut”. Ka botuar monografinë “Shkurte Skura” dhe dosierin “Hysen Laçi, një jetë për arsimin”. Në vitin 2012 botoi vëllimin me lirika, titulluar “Trëndafila me gjemba”. Për fëmijët e moshës së mesme shkollore ka botuar librin me poema “Guri i Zoicës” dhe revistën periodike shkencore dhe argëtuese “Zenit”.

Rakip Lasku ishte njëri ndër kryesorët në themelimin e revistës “Emathia” në vitin 2007 dhe udhëtimin dhjetëvjeçar të saj, me shkrime të spikatura për personazhe historike, mjeshtra e mjeshtëri, si dhe fenomene të ndryshme shoqërore.

Mat Televizion bashkohet me qarqet intelektuale dhe letrare matjane e më gjerë në shprehjen e ngushullimeve ndaj familjes dhe të afërmëve të të ndjerit Rakip Lasku, një personalitet që artit dhe kulturës matjane do t’i mungojë shumë.