“Blindohet” Burreli, mesfushori Donald Mëllugja rikthehet në qytetin e tij

0
44


Ekipi i futbollit “burreli” vijon të kompletohet edhe pas ndeshjes së parë të fazës së dytë të këtij kampionati. Veç prurjeve që janë prezantuar ditë më parë, e fundit është huazimi nga ekipi i Kastriotit të Krujës i mesfushorit Donald Mëllugja. Ky i fundit ka qenë pjesë më parë edhe e ekipit të Burrelit por e vijoi karrierën e tij sportive në elitën e futbollit ku u angazhua fillimisht me Bylisin e më pas me Partizanin dhe sëfundmi me ekipin e Krujës. Por për matjanët Mëllugja nuk ka qenë prurja e fundit pasi bashkë me të është rikthyer edhe braziliani Lusi Paolo. Ky i fundit pati tërhequr dokumentat pranë klubit për të vijuar karrierën në një tjetër skuadër, por siduket është penduar. Matjanët do të luajnë të shtunën në transfertë ndaj Tomorit të Beratit.
Ndryshe nga ndeshja e fundit, tekniku Alert Alcani do të ketë edhe dy mundësi më shumë për të aktivizuar në formacionin e kësaj përballjeje, mesfushorin Donald Mëllugja dhe mbrojtësin Lusi Paolo.
Këta të fundit janë paraqitur në stërvitjen e skuadrës pranë stadiumit të “Burrelit” të premten ku i janë bashkuar grupit tjetër. Djemtë kanë marrë udhëzimet e fundit para se të zbresin në fushën e gjelbërt ditën e shtunë përballë ekipit të Tomorit në Berat.