Ura e fshatit Skuraj është ndarë në disa pjesë si pasojë e erës së fortë të pak ditëve më parë. Banorët e 7 fshatrave që përdorin këtë urë për të dalë në rrugën nacionale Burrel – Milot, do të duhet të vënë në rrezik jetën e tyre pasi ajo është e ndarë në disa pjesë. Siç duket edhe nga pamjet, shtresa e kësaj ure e cila është bërë pjesë – pjesë, është e shkëputur duke mos patur asnjë qëndrueshmëri bazamenti për kalimin e banorëve. Pasi kanë pritur për një kohë të gjatë që pushteti vendor në Kurbain të ndërhyjë, banorët kanë nisur ta bëjnë funksionale vetë. Siç shprehen edhe vetë ata, ndërhyrja e tyre është provizore pasi vetëm kanë lidhur me tel, copat e shkëputura. Por edhe pas kësaj, ata janë të ndërgjegjëshëm se kalimi mbi këtë urë është tepër i rrezikshëm dhe se mund të rrezikojnë në çdo moment rënien prej saj. Për banorët e Skurajve, jeta e tyre gjatë kalimit në këtë urë është në dorën e fatit.
Ura është ndërtuar rreth 4 vite më parë. Fillimisht ajo i dha një impakt turiztik zonës, por pas një viti nisi degradimin duke bërë që sot ajo të jetë e ndarë në disa pjesë dhe të rrezikojë jetën e banorëve të shtatë fshatrave që e përdorin.