
Ftesën e mikut tim nga Peshkopia, Dorian Bulkut, për të marrë pjesë në realizmin e projektit “Mbjellja e fidanëve të pishave në sipërfaqet e maleve të shkrumbuara nga zjarri në Lurë”, nga dt. 28 deri më 30 maj, e kam mirëpritur me kënaqësi të veçantë. Këtë, jo vetëm për pasionin tim, ca të tepruar për t’ i shëtitur me këmbë e shijuar bukuritë natyrore, as për faktin shumë të vlerësuar se me projekt parashihej të merrnin pjesë vullnetarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës…por në rend të parë, për atë se në krahun tjetër të atdheut tonë kam parë shumë sipërfaqe pyjesh të prera e të djegura. Mjerisht, as pishat shtatlarta të Lurës, oazës së bukurisë magjike shqiptare, tani të plagosur, nuk u kishin shpëtuar duarve të mendjeakrepëve.
Me të aguar dita e 27 majit, bashkë me taksistin e rregullt nga Vermoshi, Nardin, do të nisemi rrugës së asfaltuar Guci-Shkodër, e cila kalohet për dy deri dy orë e gjysmë me makinë. Kjo rrugë u ka krijuar mundësi banorëve të mbetur të Plavës, Gucisë, Vermoshit, Selcës, Kelmendit, për t’u marrë me turizëm dhe mirëpritur grupet e vizitorëve, kryesisht shqiptarë, por edhe të huaj, që gjithnjë e më shumë vijnë t’ i vizitojnë këto vise me bukuri mbresëlënëse natyrore dhe të kaluar të lavdishme historike.
Duke biseduar për rëndësinë e kësaj rruge, s’kishte si të mos e përmendja rrugën Deçan- Plavë, dyzetë e dy kilometra e gjatë, asfaltimi i të cilës do e bënin Plavën e Gucinë, me resurset natyrore që ka, qendër turistike të nivelit ndërkombëtar. Por, sapo kalojmë bashkinë e Kelmendit dhe arrijmë në Grabom, për të satën herë bindem se ndërtimi i saj, ashtu si edhe i rrugëve tjera që lidhin viset tona etnike e historike, të copëtuara me kufij nga trungu i atdheut tonë, s’varet prej qeverive tona, por prej qeverive të shteteve fqinje, që i kanë okupuar që para më se një shekulli. Këto qeveri vazhdojnë të mos preokupohen fare për krijimin e kushteve për zhvillim të viseve të banuara me shqiptarë, siç parashihet edhe me aktet shtetërore të tyre, por përkundrazi, me mjete administrative, mirë të studiuara e analizuara, e pengojnë zhvillimin e përparimin e tyre. Rasti i rrugës Grabom-Tuz e dëshmon këtë. Derisa qeveria shqiptare ka vite që e ka asfaltuar pjesën brenda kufirit shtetëror të saj, qeveria e Malit të Zi s’e ka asfaltuar asnjë metër. Për më tepër, ajo e shpërfillë edhe marrëveshjen e arritur për hapjen e pikës së kalimit kufitar në këtë vend. Sikur të hapej pika kufitare në Grabom, rruga nga Gucia për në Tuz e Podgoricë do të zgjaste më pak se dy orë.
Biseda, kryesisht për zhvillimet politike në të dy krahët e atdheut dhe pamjet mahnitëse që përftonin, veçmas përgjatë Luginës së Cemit e Leqeve të Hotit, kishte bërë që pa e hetuar të arrij te djali i dajës, Dini, dhe nusja e tij, Xhefja, të cilët si shumë prindër të Malësisë së Madhe, fëmijët i kanë të shpërndarë nëpër botë. Komunikimi me telefon ua zbutë sado pak mallin, por ç’t’i bëjnë vetmisë. Takimin tonë, pas më së një viti dhe fatmirësinë se nuk kishim pësuar nga pandemia, e kremtojmë si përherë në këtë familje, me raki të pastër rrushi, të pjekur nga vetë Dini, duka pasur për meze edhe gështenja të pjekura, perime të freskëta e mjaltë bletësh, që vetë i rritë me kujdes. Ndonëse shkonin njëra me tjetrën dhe të jepnin kënaqësi të veçantë, raki dhe mjaltë gështenjash kisha shijuar edhe te kushëriri, Tahit Kukaj, në Valbonë, por jo edhe gjetiu. Dëshirën e tyre për të qëndruar më gjatë nuk mund t’ ua plotësoja. Duhej vazhduar tutje.
Në mbrëmje, së bashku me Dorin arrijmë në Golem të Durrësit. Meqë ka vite që s’kisha qenë në Golem, do të befasohem nga ndërtimet e reja, veçmas nga ndërtimi i hoteleve super luksoze, me dritare të shumta me xhama e ndriçim elektrik që i bënin të dukeshin si të arta. Plazhi para tyre ishte i rrethuar me tela dhe i zënë me shtretër pushimi e rrezitjeje. “Këto hotele nuk pranojnë mysafirë vendës, veç të huaj”- më njofton Dori. “Jo larg tyre janë edhe vilat e VIP-ve nga Kosova’’- shton.
E, sot, në kohën, jo më të kompjuterizimit, por të digjitalizimit, kur edhe gjyshet e gjyshërit tanë komunikojnë përmes internetit, të pyesësh prej nga vijnë paratë për ndërtime të tilla, del të jesh i trashë nga mendja!
Të nesërmen, siç ishte paraparë, takohemi me vullnetarët tjerë në Tiranë dhe, pa humbur kohë, nisemi për në Lurë. Dori dhe shokët ishin përkujdesur dhe furnizuar me artikuj të nevojshëm ushqimorë. Pasi kalojmë një pjesë të mirë “Rrugës së Kombit”, vazhdojmë dhe arrijmë në qytetin e ri të Rrëshenit ku ndalemi për një kafe, por – “Ikën dritat”- arsyetohet kamerieri. Për aq kohë sa qëndruam aty, vëmendjen do t’ma tërheqë një zonjë në moshë, me çadër të bukur në dorë për t’u mbrojtur nga dielli dhe veshje solemne mirditore ngjyre të zezë, të denjë edhe për zonjat e metropoleve të njohura.
Disa kilometra nga Rrësheni futemi rrugës së paasfaltuar dhe përplot pluhur, e cila përshkonte kodra të pafund, poshtë të cilave shtriheshin luginat e pakta me sipërfaqe të vogla e të ngushta dhe shtëpi të shpërndara. Ishim me fat, veçmas unë dhe Arbeni nga Prishtina, se në makinë me ne ishte edhe mbikëqyrësi i Projektit të mbjelljes së pishave, lurjani Nazmi Ajazi, ( 1959), doktor i shkencave të pylltarisë dhe autor i disa librave profesionalë. Para se të shpërngulej me familje në Tiranë kishte punuar në Drejtorinë e Pyjeve në Lurë kurse tani ishte drejtor i Projektit Bioklimatik në Malin e Dajtit. Përveç profesionit, Nazmiu ishte njohës i mirë i historisë. Për këtë arsye do të shoqërohem me të pothuaj gjatë gjithë kohës sa do të qëndrojmë në Lurë. Ndonëse mohues i skajshëm i të arriturave në sistemin komunist, nga ai kishim ç’ të mësonim, veçmas për viset nga kalonim. Shpjegimet e tij bënin që të mos e ndienim fare lodhjen. ‘’ Jemi në territorin e Selitës. Qyteti që shihni ka qenë qytet i minatorëve. Ka pasur shkollë të mesme, spital… Me mijëra e mijëra ton kromi janë nxjerrë e transportuar nga këtu. Tani është shpopulluar gati krejt’’- tregon Nazmiu për qytetin e Kurbimit. Edhe nga makina shiheshin godina tri -katër katërkatëshe me tulla të hirta, pa dyer e dritare. Një shi, që nuk do të zgjasë, e ulë sadopak pluhurin duke ia shtuar edhe më bukurinë pyllit të ulët në të dy anë e rrugës, ngjyra e gjelbër e të cilit t’i çlodhte sytë. “Ja, kjo është në Kre- Lura, që do të thotë Krye -Lura “- tregon Nazmiu. Dhe, s’kishte si të mos ndalemi e ta shijojmë për pak çaste atë mrekulli gjelbëroshe. Para nesh shtrihej lugina e butë, disa kilometra e gjatë, por jo shumë e gjerë . Duke vazhduar tutje, diku kah fundi i saj, më bie në sy kisha e re, e vogël, dhe dy shtëpi të vetme. Në njërin shihej se ka banorë, kurse tjetra ishte kulmrënë.

Pas afro pesë orë udhëtimi, arrijmë në një kodër sipër fshatit Lurë e Vjetër, te “Hoteli i Enverit”- siç e quanin disa, për atë se ishte ndërtuar në kohën e komunizmit. Ndezja e zjarrit dhe përgatitja e darkës së përbashkët, ku secili ndihmonte a shërbente me diçka, krijonte një atmosferë të këndshme më se shoqërore. Kështu do të veprohet edhe me përgatitjet e shujtave gjatë ditëve në vijim. Dhe, si ndodhë zakonisht, kur ka më shumë pjesëmarrës në aktivitet, qëllon që ndonjëri të ketë shkas edhe për të qerasë. Kështu ndodhi edhe me grupin tonë. Mirditori, Sokol Prenga i Master Chef Albania, e kishte ditëlindjen, ndaj ishte kujdesur dhe kishte sjellë pako me ëmbëlsira dhe specialitete të përgatitura nga firma e tij private. Përveç si ekspert i ushqimit, ai do t’ më befasojë për disa vërejtje të përdorimit të gabueshëm të disa cilësorëve të shqipes, që s’mund të mohoheshin.
Derisa të rinjtë e të rejat do të rrinë e argëtohen rreth zjarrit deri pas mesnate, unë do ta shfrytëzoj rastin të bisedoj me Nazmiun dhe Mexhit Skanën (70), vendas, rojtari i hotelit, i cili, në gjendjen që ishte vetëm hotel nuk mund të quhej. “- Ky hotel është punuar për eprorët ushtarakë…. Edhe në Lurë ka pasur disa reparte ushtarake’’, tregon Mexhiti. “Atëherë kemi jetuar më mirë. Lura i ka pasur afro 6000 banorë e sot i ka më pak së 600. Edhe djali e dy vajza e mia janë jashtë. Kemi pasur siguri, shëndetësi…Tani të mira i kemi vetëm internetin e telefonin’’- shton ai. Rakinë time që ia jap e vlerëson me “raki e urtë” dhe kur për shaka e pyes për gratë, thotë “Ato na ngjojnë! Na ngjojnë!’’
– “Asgjë të mirë s’ ka pasur- do të ndërhyjë ca me padurim Nazmiu, “Enveri e ka shkatërruar Shqipërinë….” Po, gjithë ato shkatërrime që u bënë pas ndryshimit të sistemit, si i arsyeton e pyes. “Shtetëzimi i pronës private kishte bërë që njerëzit të humbin ndjenjën e pronësisë…Unë kam qenë në Gjermani, Zvicër dhe kam parë se ju kosovarët jeni enveristë…’’ – Është mirë ta dini, i përgjigjem, se pa veprimtarinë dhe sakrificën e tyre, Kosova do të ishte ende nën robëri?! Ideologji prijëse e tyre ishte çlirimi i pjesëve të okupuara të atdheut…
Të nesërmen, derisa kalonim nëpër sipërfaqet e pyjeve të masakruara, i indinjuar nga ai tmerr që shihja, do ta pyes Nazmiun: – Po pyjet që i ka djegur dora e njeriut, i kishte mbjellë Enveri? Si shpjegohet fakti se asnjëri prej atyre që e sollën sistemin e ri, nuk e ngriti zërin kundër shkatërrimit të pasurive të popullit, të bëra me aq mund e sakrifica. Përkundrazi, i jepnin zjarr. Gjithë ato shkatërrime, vrasje, që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite… “Këto janë pasojë e keqqeverisjes”- përgjigjet.
Fidanët e mbjella të pishave, fare të vogla, s’dukeshin fare në gjithë ato hapësira që s’ mund të quheshin më pyje, por shkretëtira. Djegia e pishave të Lurës, e cila me të drejtë është quajtur Hyjnesha e natyrës dhe e turizmit shqiptar, e shpallur Park Kombëtar në vitin 1966, për të cilën ka shkruar edhe Fishta, të cilën e kishte vizituar edhe udhëpërshkruesja e famshme angleze, Mary Edith Dham, është ekocid i trishtë, pasojë e një periudhe të errësirës mendore, që ka shkaktuar aq shumë viktima e dëme të paçmuara.
Siç dihet, Lura është e njohur edhe për trembëdhjetë liqenet e saj, shtatë prej të cilëve nuk shterojnë kurrë. Të dalluar për bukurinë e tyre janë shpallur Monument Natyror. Ndaj, s’ kishte si të kthehemi pa e parë nga afër ndonjërin prej tyre. Pa humbur kohë do të nisemi përpjetë rrugës në të cilën mund të udhëtohet vetëm me makina terreni, çfarë ishte ajo e Dorit. Kërcimi i rrotave nga gurë në gurë, na i rrotullonte zorrët. “Kjo rrugë për te liqenet është çelur në vitin 1960 “- tregon Nazmiu. Në vitin 2016, një firme private, shteti i ka dhënë një milion euro për rregullimin e saj, por ja ç’ punë ka bërë e përgjegjësi s’ jep askush. Ja, edhe ujin e përrenjve e kanë futur në tuba. Ushtima dhe freskia e tyre ia shtonin bukurinë Lurës. Tani hecet e vogla private, jo vetëm që po e tretin bukurinë, por po e thajnë edhe vendin.
Duke u ngjitur vërejmë se, përveç nga dora e njeriut, pyjet po u vinte e keqja edhe nga sëmundja. Në shumë degë të thara vareshin qeska të bardha me insekte. “Përpara, dilnin edhe kooperativistët, edhe ushtria dhe me gërshërë që zgjateshin, i prisnim degët e infektuara, por sot s’ lodhet kush”, do t’më tregojë Mexhiti.
Pak para se të arrijmë te liqenet, hasim në borë e cila na pengon të vijojmë tutje. E largojmë një pjesë të saj me shpresë se më tej do të arrijmë deri të Liqeni i Luleve, por jo. Ishte e pamundur. Megjithatë arrijmë te Liqeni i Madh. Kështu quhej, siç na treguan, se ishte më i madh se të tjerët. Shkëlqimi dritërues i ujit të tij, këndshëm i kaltër, dhe hapësira e zhuritur përreth, krijonin një kontrast të papërshkrueshëm. Shkarje mendore e egërsi shpirtëror! Krim që, pa e parë nga afër, s’ parafytyrohet dot. Pamjet e degëve dhe e cungjeve të pishave, ca të hedhur edhe në liqen, me format që u kishte dhënë zjarri, zgjonin asociacione trishtimi. Veçmas te unë që kisha parë nga afër edhe trupa njerëzish të djegur nga togjet kriminale policore e ushtarake serbe në Kosovë.
Duke pushuar pranë liqenit e duke menduar se deri ku mund të shkojë çmenduria, më ishte kujtuar kënga e Leonora Jakupit “A vritet pafajësia”. Larg asaj të bëhen krahasime, por edhe djegia e pyjeve, dhuratë e çmueshme e natyrës, pa të cilat s’ mund të paramendohet jeta e njeriut, është krim që s’e arsyeton asgjë. Ndonëse gjatë rrugëtimit kisha gjykuar se vetëm në skajore të tilla të atdheut, çfarë është edhe vendlindja ime, ka qenë e mundur t’i rezistohet armikut e të ruhen tiparet tona gjenetike, por jo, shekuj robërie …
I munduar nga pyetjet e pa përgjigje, kur do të gjykojmë e sillemi si njerëz, kur do të kemi pushtetarë që s’mendojnë veç për veti, por para së gjithash për popullin dhe përparimin e shtetit, e shfrytëzoj metodën që më ka shpëtuar shumë herë- ngjitjen në maja për të qetësuar shpirtin e ruajtur ekuilibrin mendor.
Pas fotove të bëra dhe incizimeve me dron nga eksperti i ri, Erald Halilaj, kur të gjithë pajtohen me propozimin tim, nisemi për në majën, Kurora e Lurës. Meqë ngjitja nëpër gurë ngjyrë bakri e nëpër borë nuk ishte e lehtë dhe jo pa rrezik, shumica vendosin të pushojnë e të kthehen. Nazmiu, Dori, Nerti, Pavli ( nga Çekia) dhe unë, arrijmë në majë prej nga shihej rajoni i Lurës, Peshkopia, Durrësi… Duke i shikuar nga lart liqenet, sytë e maleve, siç i quajnë adhuruesit e bukurisë së maleve, duke shikuar luginën e bukur të Lurës që shtrihej poshtë nesh dhe duke kujtuar të kaluarën e lavdishme të kësaj krahine të Dibrës heroike, s’ kishte si të mos gjykoja se, nuk është e rastit që mjediset e tilla lindin dhe frymëzojnë artistë emër ndritur siç është edhe biri i kësaj treve, Arif Vladi, interpretuesi i këngëve himne të luftës për liri, ndër ta edhe i himnit të UÇK-së. Me atë rast më ishte kujtuar edhe përgjigja e tij kur ishte pyetur për shpërblimin: “Nuk ka çmim që më paguan për të Himnin e UÇK-së !”
Ditën e fundit, para se të ktheheshim me plagën e Lurës në shpirt, do të vizitojmë edhe një oazë tjetër bukurie, Lanë – Lurën. Edhe më tej Nazmiu i papërtueshëm tregon. “Në skajin tjetër të Lanë- Lurës ka qenë përmendorja e luftëtarëve shqiptarë të rënë në luftë kundër agresionit serb në vitin 1921. Tani është e shkatërruar. I kanë marrë pjesët metalike dhe i kanë shitur…’’ Shkakun e rrënimit të përmendores së partizanëve të rënë në luftë lundër pushtuesve nazistë e fashistë në Kre- Lurë, çfarë kisha parë edhe në shumë vende tjera të Shqipërisë, e dija, por rrënimin e përmendores së luftëtarëve kundër pushtuesve serbë si ta kuptoja. Sado kisha menduar se gjatë atyre tri ditëve, sa kisha qëndruar e biseduar me Nazmiun dhe ndonjë tjetër, i kishim shteruar bisedat për krimet serbe, veçmas ato të viteve 1998 e 1999, ja që ato, si hije vdekjesjellëse, s’ na shqiten nga mendja ngado që shkojmë. Kështu ndodhi edhe pas rrëfimit për fatin e përmendores në Lan- Lurë, por afrimi dhe biseda me deputeten e Parlamentit të Shqipërisë, Almirën, përfaqësuese e Dibrës, për planin e organizimit të aksionit vijues gjithëkombëtar në vjeshtë, për kushtet që ofron Lura për organizim edhe të ekoaktiviteteve tjera, veçmas për organizimin e shkollave verore të mjekësisë malore, siç praktikohet në vende të zhvilluara, veçmas në SHBA, dhe njoftimi i saj se është miratuar projekti për asfaltimin e rrugës Rrëshen- Lurë- Peshkopi , ma shton besimin te gjeneratat e reja dhe forcon bindjen se edhe mbesa ime me emrin Lura, kur të rritet edhe pak, do ta vizitojë me gëzim Lurën dhe do të mburret me atë se edhe gjyshi i saj ka kontribuuar në rikthimin e bukurisë, tani të plagosur, të Lurës.