
Ekipi i futbollit Burreli ka pësuar humbjen e parë në këtë kampionat në 13 ndeshje të luajtura deri tani. Matjanët nuk arritën dot të fitojnë në transfertën e dibrës përballë Korabit vendës. Këtij të fundi i ka mjaftuar vetëm një gol, për të ndalur Burrelin në kuotën e 28 pikëve. Ndeshja nisi me rivalitet të fortë ku nuk munguan rastet nga të dyja skuadrat që në minutat e para. Miqtë tentuan vazhdimisht me Skukën në pjesën e parë, por gardiani i portën matjane, Festim Miraka e mbajti rrjetën e paprekur. Edhe tentativat e Raboshtës ishin të pasukseshme në frkasionin e parë. Ekipet shkuan në dhomat e zhveshjes me porta të paprekura.
Ndërkohë të njëjtën tablo pati edhe pjesa e dytë ku skuadrat shfaqën rivalitet të fortë dhe tentuan të gjejnë rrjetën e portave respektive. Vetëm në minutën e 75 do të zhbllokohej rezultati. Ismailaj merr një krosim nga e djathta e tij dhe me kokë tund rrjetën e portës matjane. megjithë tentativat nuk pati ndryshim rezultati ndërsa vendësit u fokusuan më shumë në mbrojtje për të ruajtur golin e vetëm të sfidës. Kjo është humbja e parë që ka pësuar Burreli që nga fillimi i këtij kampionati. Ndërkohë që këtë fundjavë kaloi në vendin e dytë të grupit A. ndeshjet e tjera të luajtura sot përfunduan: Dinamo – Partizani B 3 me 0, Erzeni – Besëlidhja 0 me 0 dhe Oriku – Vora 1 me 2. Javën e ardhshme Burreli do të presë në shtëpi Erzenin e Shijakut. Ndërkohë këtë të shtunë, edhe ekipi i Klosit që aderon në kategorinë e dytë humbi në Velipojë përballë Adës me rezultatin 3 me 0.