Masivi pyjor me pishë në malin e Balgjajt në Njësinë Administrative Suç në Bashkinë e Klosit vijon ende të digjet. Me gjith ndërhyrjen e bërë prej 5 ditësh, punonjësit e shërbimit zjarrfikës, ato të shërbimit pyjor dhe banorët nuk kanë mundur t’i vënë flakët nën kontroll. Zjarri është përhapur në një sipërfaqe prej rreth 100 hektarësh. Për të neutralizuar zjarrin në ndihmë të tyre kanë shkuar edhe forcat e armatosura nga Detashmenti i Mbështetjes Rajonale Burrel. Terreni i vështirë e ka bërë të pamundur që zjarri të fiket i gjithi. Deri tani ndërhyrja është bërë me anë të pompave të shpinës dhe mjete të tjera rrethanore tokësore për shkak të mungesës së rrugës për ndërhyrje me anë të mjetit zjarrfikës. Ndërkohë ndërhyrja nga ajri nuk është realizuar deri tani.
Me një situatë të ngjashme po përballen edhe punonjësit e shërbimit zjarrfikës, ato të shërbimit pyjor e banorët në fshatin Macukull në Bashkinë e Matit. Edhe në këtë zonë një vatër zjarri vijon të jetë aktive prej 4 ditësh. Flakët vijojnë të djegin masivin pyjor me me Ah. Edhe në këtë zonë është e pamundur ndërhyrja me mjet zjarrfikës për shkak të mungesës së rrugës së makinës.
Pasditen e së shtunës është aktivizuar një vatër e re zjarri në malin e Gurrës në Bashkinë Klos. Flakët kanë përfshirë masivin pyjor në vendin e quajtur “Sugëz”. 10 persona nga shërbimi pyjor por edhe banorë po mundohen të neutralizojnë përhapjen e zjarrit, por kjo është e vështirë për shkak të dendësisë së pyllit dhe erës së fortë.
Autoritetet lokale ju bëjnë apel banorëve që tju bashkohen grupeve në terren për fikjen e këtyre zjarreve në mënyrë që dëmi në këto ekonomi pyjore të përbashkëta të jetë sa më i vogël.