Çudia në Dibër/ 25-vjeçari paguhet si drejtor shkolle në Peshkopi duke qëndruar në Londër

0
8

 Policia e Dibrës ka nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj dy personave, pasi akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën. Bëhet fjalë për drejtoreshën e Zyrës Vendore Arsimore në Peshkopi, shtetasen B. D., 39 vjeçe, dhe ish-drejtorin e shkollës në Selishtë, shtetasin A. D., 25 vjeç.

Në një njoftim për mediat, policia bën të ditur se procedimi penal ndaj tyre ka nisur pas konstatimit se drejtoresha e ZVA-së i kishte garantuar 25-vjeçarit rrogën e drejtorit të shkollës edhe gjatë periudhës që ai nuk ka qenë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, çka bie në kundërshtim me ligjin.

Pas verifikimeve të kryera nga policia, 25-vjeçari rezulton të jetë larguar nga territori i Shqipërisë që në vitin 2019 dhe përgjatë gjithë kësaj kohe ai ka marrë pagë padrejtësisht.

Njoftimi i policisë:

Dibër

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Dibër kanë filluar procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasit:

A. D., 25 vjeç, banues në Selishtë, Dibër, ish-drejtor në shkollën 9-vjeçare Selishtë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën” dhe “Shpërdorim i detyrës”.

B. D., 39 vjeçe, banuese në Peshkopi, Dibër, me detyrë drejtore në Zyrën Vendore Arsimore Peshkopi, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.

Procedimi penal ndaj shtetasve të lartpërmendur ka filluar pasi nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasja B. D. ka paguar shtetasin A. D., gjatë periudhës që ai nuk ka qenë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Sipas verifikimeve të kryera shtetasi A. D. është larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë në vitin 2019 dhe ka përfituar paga në mënyrë të padrejtë.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.