81-vjeçari që nuk i ndahet bujqësisë, Elez Elezi: nuk na del pensioni

81-vjeçari që nuk i ndahet bujqësisë, Elez Elezi: nuk na del pensioni

Pensionistët në fshat vijojnë të shprehin pakënaqësi për vlerën e pensionit që marrin. Ata kryesisht janë bujk dhe vlera e pensionit është shumë e ulët në krahasim me nevojat që kanë. Të detyruar, ata vijojnë të punojnë në bujqësi për të ndihmuar të ardhurat ekonomike të familjes dhe plotësimin e nevojave familjare.

Elez Elezi nga fshati Bërshi i Klosit thotë se përveçse puna të mban mirë fizikisht, në kushtet kur pensioni është minimal bëhet e domosdoshme. Por sipas tij çmimet e proceseve bujqësore janë të larta dhe kostoja e bujqësisë është e rritur. Ai shprehet se me pensionin që merr nuk mbulon dot shpenzimet mujore, ndërsa edhe çmimet e punimit të tokës, të farërave, plehrave kimike etj. janë shumë të papërballueshme. Megjithatë, 81-vjeçari Elezi thotë se sa të ketë shëndetin nuk do t’i ndahet punës në bujqësi.

Vlera minimale e pensionit të fshatit është 12 mijë lekë të rinj, por pensionistët thonë se ato nuk mjaftojnë as për medikamente mjekësore që marrin për shkak të sëmundjeve të moshës.