
Emigracioni, migracioni e shumë arsye të tjera kanë bërë që pas viteve ‘90-të shqiptarët të largohen nga lidhjet familjare. Ky fenomen ka prekur deri tek familja e cila 3 dekada më parë ishte më e bashkuar dhe njerëzit njiheshin, por që sot koha dhe distanca i akën zbehur.
Pikërisht për të rikthyer këtë traditë dhe bashkim të njerëzve të një gjaku, fisi Xhepnuzi, në fshatin Karicë të Matit, ka marrë një iniciativë të veçantë. Në një atmosferë festive dhe të ngrohtë, me flamuj kombëtarë dhe dekor tradicional, mbi 800 kushërinj të fisit Xhepnuzi u mblodhën në qendër të tokës së fisit për një takim unik. Emocioni i takimeve të para mes njerëzve që ndajnë të njëjtin gjak, por që nuk njiheshin më parë, krijoi një ndjesi të veçantë për të gjithë.
Drejtuesi i grupit organizator, Ismail Sadiku tha se kjo nismë synon rikthimin e lidhjeve familjare dhe forcimin e marrëdhënieve midis brezave, në një kohë kur emigracioni dhe migracioni i brendshëm kanë ndikuar në shkëputjen e njerëzve nga rrënjët e tyre. Sipas Ismail Sadikut, pjesmarrës në këtë festë nuk ishin vetëm ata që kanë lindur në fisin Xhepnuzi, por edhe nipër e mbesa.
Xhabir Cakoni ka udhëtuar posaçërisht nga Athina për të marrë pjesë në këtë organizim farefisnor. Si nip i fisit Xhepnuzi, Xhabiri thotë se shumë pak nga pjesmarrësit njeh, që nëse do t’i kishte takuar diku tjetër, mbase nuk do t’ju kishte folur.
Erisa Gjokmeli është nga mbesat më të reja të fisit, por edhe ajo thotë se thuajse asnjë nga kushurinjt nuk i njihte më parë.
Ky organizim është një shembull frymëzues se si rrënjët dhe përkatësia mund të sjellin bashkim edhe pas shumë vitesh ndarje. Fisi Xhepnuzi nga fshati Karicë i bashkisë Mat, tregoi se gjaku nuk bëhet ujë, veçanërisht kur dashuria për njëri-tjetrin ringjallet në një festë të tillë.