Familja Kola, nga fshati Shkopet i Bashkisë Kurbin, prej 5 vitesh është në pritje të ndërtimit të banesës së tyre pas dy fatkeqësive që kaluan. Herën e parë banesa e tyre u dëmtua nga tërmeti i 26 Nëntorit të vitit 2019, ndërsa më pas ajo u përfshi nga flakët. Dy bashkëshortët e kësaj familjeje, Gjergj e Dile Kola thonë se prej 5 vitesh po sorollaten sa në një ambjent në një tjetër, ndërsa shtëpia që ka nisur tju ndërtohet me fondet e tërmetit ende nuk ka përfunduar. Gjergji tregon se në kontaktet që ka patur me pushtetin vendor në Kurbin i është thënë që vitin e ri do ta kalonte në banesën e re, por kjo gjë nuk ndodhi e tashmë kanë kaluar më shumë se tre muaj.
Ndërsa e zonja e shtëpisë, Dile Kola thotë se vuan nga një sërë sëmundjesh, duke jetuar në ambjente të papërshtatshme. Ajo iu bën apel institucioneve që punën e nisur ta përfundojnë sa më parë.
Për shkak të dëmtimit të banesës një pjesë e familjes janë zhvendosur me qera në Milot e Laç, ndërsa presin përfundimin e shtëpisë së re për tu rikthyer aty.