Mirdita është një krahinë në veriun e Shqipërisë, dikur e banuar nga fisi ilir me po të njëjtin emër. Një vend plot me tradita dhe histori, ky ishte pikërisht vendi i radhës që u zgjodh nga emisioni më i ri në Euronews Albania “Udhëtarët”, që planifikon ta përshkojë Shqipërinë nga veriu në jug.

Por, le të mbetemi tek Mirdita. Për këdo që dashuron klimën alpine dhe ajrin, të kombinuar me arkitekturën, traditën dhe historinë, Mirdita, është një krahinë që nuk duhet humbur. Këto janë pesë atraksione mjaft interesante që ia vlen të vizitohen gjatë udhëtimit tuaj në Mirditë.

Oroshi

Orosh, Mirdite. Foto: FB

Edhe pse sot qendra e Mirditës është Rrësheni, dikur ka qenë pikërisht Oroshi, kryeqendra e kësaj krahine. Kjo zonë është e mbushur me objekte të trashëgimisë kulturore, monumente të kultit por edhe monumente natyrore si bjeshkët e famshme të Oroshit.

Oroshi është i njohur për veprimtarinë e shquar të familjeve të mëdha si Markagjonët. Prej kësaj zone janë të njohur Prenk Bibë Doda (ministër i Jashtëm në vitin 1914), abati Preng Doçi (poet kontribuues në shoqërinë “Bashkimi”) apo dhe Kapedan Marka Gjoni dhe më vonë djali i tij Gjon Markagjoni si qendrestar kundër sundimit otoman, e më vonë kundër diktaturës komuniste. Përveç anës historike, këto familje të mëdha kanë lënë trashëgimi kullat dhe mjaft gojëdhëna.

Kullat e GuritShtepi Guri

Monumentet arkeologjike të Mirditës i përkasin më së shumti periudhës së hershme të Mesjetës në Shqipëri e njohur gjithashtu si “Periudha e Arbrit”, edhe pse në këtë qytet ka varre dhe objekte të shumta që tregojnë se ky ka qenë një vendbanim ilir që në periudhën e Bronzit, rreth 2000 vjet para erës sonë.

Sidoqoftë disa nga atraksionet kryesore të Veriut të Shqipërisë e sidomos të Mirditës, janë Kullat e Gurit. Këto ndërtesa shtatlarta janë kthyer tashmë në një karakteristikë që e përfaqëson arkitekturën veriore më së miri. Këto kulla të cilat të japin përshtypjen e kalave kanë ekzistuar në veri prej qindra vitesh, dhe shumë prej tyre sot janë kthyer në hane, shtëpi pushimi apo edhe në shtëpi muze. Veriu i Shqipërisë, i rrezikuar gjithnjë nga pushtuesit, është kthyer në një shembull rezistence në historinë e kombit tonë, dhe këto shtëpi apo fortesa janë pikërisht simboli i prekshëm dhe i ngrirë në kohë i kësaj rezistence dhe sakrifice qindra vjeçare.

Burgu i SpaçitBurgu i Spaçit

Nuk kishte si të mungonte në listën tonë, kampi famëkeq i ngritur në kohën e regjimit komunist dhe diktatorit Enver Hoxha, Burgu i Spaçit. Një burg politik i sigurisë së lartë, ai u porosit të ndërtohej në fshatin Spaç të Mirditës, në vitin 1968. Në këtë burg kanë vuajtur dënimin qindra qytetarë e intelektualë të famshëm, ndër të cilët analisti Fatos Lubonja apo edhe kritiku dhe arkitekti i ndjerë, Maks Velo.

Një vizitë në këtë burg është një eksperiencë rrëqethëse që sikur edhe për një moment të vetëm, të lejon të ngulisësh në kujtesë, një dimension tjetër të natyrës njerëzore dhe historisë sonë që nuk duhet medoemos të harrohet.

Bjeshka e OroshitBjeshka e Oroshit. Foto/FB

Për të gjithë ata që e adhurojnë natyrën dhe nuk mund të bëjnë dot po ecjet dhe ngjitjet e bukura në mal, Mirdita sigurisht nuk do të mund të mos ofronte shtigje dhe hektarë të tërë natyre të egër e të paprekur nga dora e njeriut.

Destinacioni që ne sugjerojmë këtë radhë është Bjeshka e Oroshit, e cila u shpall zonë e mbrojtur që nga viti 1996. Ajo ka një sipërfaqe prej 4.691 hektarësh të përbërë prej lëndinash, burimesh ujore, kullotash alpine ama veç këtyre kjo zonjë njihet edhe si pika kyçe e rezistencës antiosmane.

Guri i NusesGuri i Nuses. Foto: wikicommons

Dhe së fundmi, atraksioni tjetër që ne do t’u sugjeronim të gjithë atyre që e duan natyrën sidomos atë malore, është Mali i Gurit të Nuses, i gjendur 1.987 metra mbi nivelin e detit. Ama ngjitja flitet të jetë e vështirë dhe nuk është për këdo, ndaj ne për momentin do t’ju sugjeronim të shijonit pamjen nga lëndinat përreth si dhe historinë e tij.

Ky mal, përveç pamjes tejet piktoreske sigurisht tërheq vëmendjen menjëherë edhe me emrin e tij të veçantë. E sado që gojëdhënat dhe legjendat e zonës janë të shumta, rreth asaj që i ndodhi nuses së re që humbi jetën në këtë mal, do të kishim dëshirë t’ju a linim më mirë ju në dorë gjatë udhëtimit tuaj në këtë zonë, të pyesnit banorët e zonës dhe të mësonit versionin tuaj krejtësisht të veçantë të kësaj historie.