Edhe Bashkia e Matit ishte ndër të prekurat nga tërmeti i 26 Nëntorit. Rreth 400 raportime janë bërë nga banorë të kësaj bashkie për dëme të shkaktuara nga tërmeti. Ndërkohë që prej ditës së parë specialistët e emergjencave civile kanë zbritur në terren duke verifikuar çdo raportim të bërë nga banorët.
Një ndër familjet e prekura nga ky tërmet është edhe ajo e Paulin Hojt nga fshati Kokërdhok në Njësinë Administrative Ulëz. Vetë Paulini tregon momentet e rënies së tërmetit dhe se si e la shtëpinë që prej 26 Nëntorit duke fjetur jashta.
Ndërkohë Bashkia e Matit deri tani ka konstatuar 5 raste që janë në emergjencë e për këtë, të gjithë këtyre familjeve iu është vendosur çadra me ndihmën e forcave të Detashmentit të Mbështetjes Rajonale Burrel, ku të pranishëm ishin edhe zv/kryetari i Bashkisë Mat Myslym Zeneli e Nënprefekti i Matit Hasan Pasha.
Drejtori i Mbrojtjes Civile në Bashkinë Mat, Nezir Sinani tha se do të verifikohet çdo raportim për të ndjekur më pas të gjithë hapat ligjor.
Familjeve të cilat kanë mbetur në qiell të hapur në Mat, krahasan çadrave po ju jepen edhe ndihma të tjera.