30 vjet FRESSH/ Lavdrim Krrashi: Bëri një shërbim të çmuar demokracisë shqiptare

0
16

U mbajt sot Kongresi i Rinisë i Partisë Socialiste, në 30-vjetorin e krijimit të FRESSH.

Kongresi u mbajt tek Amfiteatri te Liqeni, ku të pranishëm janë Kryeministri Edi Rama, ministrat dhe kryesia e FRESSH.

Deputeti i Dibrës, Lavdrim Krrashi, gjatë fjalës së tij përshëndeti forumin rinor dhe vuri theksin se ky forum bëri një shërbim të çmuar demokracisë shqiptare.

Krrashi u shpreh se forumi rinor pas krijimit u bë shpejt shembull për partitë e tjera duke sjellë një frymë të re. Deputeti tha se sa herë që ne ndodhemi në vështirësi, sytë tanë janë drejt rinisi.

Krashi inkurajoi të rinjtë të ëndërrojnë dhe të luftojnë për ndërrat e pasionet e tyre, duke mos i lënë ato në sirtarë.

Fjalimi i deputetit Lavdrim Krrashi

Përshëndetja e FRESSH

Më shumë emocione kam sot, edhe pse me më shumë eksperiencë, se sa kur përjetuam lindjen e Forumit tonë EuroSocialist Shqiptar.

Para 30 vjetësh, në një kohë kur gjërat dukeshin të zymta për të majtën shqiptare, kur euforia dhe prirja e përgjithshme ishte për t’ju bashkuar krahut tjetër të politikës shqiptare, afrimi i një grupi studentësh pranë PS, i dha energji dhe frymë të re asaj duke i bërë edhe një shërbim të çmuar demokracisë shqiptare dhe bërjen e PS një alternativë të fortë.

Kështu lindi FRESSH – si një përpjekje mes 6 miqsh nga krahina të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosova, të cilët ishin të përkushtuar ndaj vendit dhe që duke rrahur me njëri-tjetrin alternativa arritën që së bashku të mblidhnin ide, doktrina, ëndrra dhe pasione e t’i sjellin në formën e një projekti të konsoliduar që do vijonte të rritej e të merrte formë e të bëhej faktor në politikë dhe histori.

FRESSH i dha shumë Shqipërisë dhe shpejt u bë një model edhe për partitë e tjera. Krijimi i FRESSH-it tregoi se mund të jesh student i dhjetorit, në shesh për rrëzimin e simboleve të diktaturës dhe të jesh njëkohësisht, një frymë e re në të majtën shqiptare.

Sa herë që situata politike duket e vështirë – dhe besomëni, sfidat nuk mbarojnë kurrë – sytë e të gjithëve ne janë te rinia. Te të gjithë ju që keni luksin t’i shihni gjërat në planin afatgjatë, të ëndërroni fort e pa frikë dhe të gjeni kurajon për të ndryshuar gjërat që nuk ju pëlqejnë për të ndërtuar të ardhmen tuaj ashtu si dëshironi ju.

Sigurisht, tashmë Shqipëria është një vend i hapur dhe demokratik, ndryshe nga ç’ishte në 1990-ën, por kjo sjell përgjegjësi të reja në planin politik. Ne jemi një vend që udhëtojmë lirshëm në Evropë me dhjetëra mijëra turistë që na vizitojnë çdo vit, me shumë partnerë evropianë me të cilët duhet të negociojmë hyrjen në BE, me shumë sfida në Ballkan veçanërisht ndihmën që duhet t’i japim bashkatdhetarëve në Kosovë e më gjërë në vendet fqinje e më gjerë për të mbrojtur të drejtat e tyre. Ne jemi një vend i NATO-s dhe antar i Këshillit të Sigurimit në OKB, pra një faktor i vërtetë në sigurinë rajonale dhe më gjërë dhe do jetë detyra juaj ta ngrini politikën e derimëtanishme në të tjera nivele dhe të sillni ide për të zhvilluar më tej atë që është bërë deri më tani.

Do doja shumë, që ato mijëra diskutime e ide që shpalosni me njëri-tjetrin, të mos i lini te tavolina apo në sirtar por t’i mblidhni t’i diskutoni dhe të krijoni një platformë të vërtetë, për të arritur objektivat që keni dhe që ne duhet të bëjmë të pamundurën t’i bëjmë ato realitet.

Ju siguroj, që kur rinia është e bashkuar dhe me ide të qarta, askush nuk mund ta ndalë hapin e saj.

Historia jonë është një krenari, sukses dhe vizion. E ardhmja është plotë shpresë që vetëm një PS progresive dhe të rinjtë e saj mund ta realizojnë. Qielli është limiti i të rinjve.

Gëzuar ditëlindjen e 30 të FRESSH!

https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=314&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fediramaal%2Fvideos%2F981577936040367%2F&show_text=false&width=560&t=0