3 kandidatë deri tani në garën për Bashkinë Mat

3 kandidatë deri tani në garën për Bashkinë Mat
Këtë të martë është afati i fundit që subjektet politike dhe kandidatët e pavarur për zgjedhjet e pjessshme lokale të 9 Nëntorit të dorëzojnë pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve kërkesën për regjistrim. Të gjithë ata që do të futen në garë për drejtuesin e ri të Bashkisë së Matit duhet që patjetër deri në mesnatën e datës 14 tetor të dorëzojnë pranë KQZ kërkesën e tyre. Deri tani janë 3 kandidatë që kanë shpallur publikisht kandidaturën për zgjedhjet e pjesshme të 9 Nëntorit për kryetarë në Bashkinë Mat, deri në zgjedhjet e përgjithshme lokale të vitit 2027. Altin Bojni, i cili ka mbajtur detyrën e Kryetarit të Këshillit Bashkiak që prej vitit 2023 dhe të Drejtorit të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Mat, është kandidatura e përzgjedhur nga Partia Socialiste. Përballë Bojnit do të jetë avokati Eduart Brahilika, i cili do të regjistrohet si i pavarur por që do të mbështetet nga kampi opozitar. Ndërkohë, edhe avokatja Suzana Pasha ka deklaruar kandidimin e saj në këto zgjedhje të pjesshme për kryetarin e ri të Bashkisë Mat. Avokatja Suzana Pasha vjen nga radhët e Partisë Socialiste por në këto zgjedhje do të garojë si kandidate e pavarur. Kandidatët e pavarur që mbështeten nga parti politike apo Komitete Nismëtare u duhet të mbledhin firmat mbështetëse të jo më pak se 1% të zgjedhësve të bashkisë përkatëse që të konsiderohen zyrtarisht kandidatë në këtë garë elektorale. Koalicionet kanë kohë deri në 19 tetor për t’u regjistruar ndërsa afati për kandidatët 22 tetor. I vetmi afat që nuk ndryshon është fushata elektorale e cila sërish do të zgjasë vetëm një javë nga 1 deri në 7 nëntor. Ndonëse KQZ vijon me përgatitjet për zgjedhjet e pjesshme vendore, ngërçi për afatet vijon, teksa Kolegji zgjedhor shtyu për herë të dytë seancën që do të vuloste dhe datat për regjistrimin e forcave politike dhe kandidatëve.