27 vite me mjetin agregat, bujku Subi Keshi thotë se bujqësia ka ardhur në rënie
Bujku Subi Keshi, nga fshati Majtar e Sipërme në Maqellarë të Dibrës, prej vitit 1999 punon me mjetin e tij agregat në tokat e fshatit. Ai tregon se pas vitit 2007, bujqësia ka marrë pikjatën dhe në ditët e sotme, as 25% e tokës bujqësore nuk punohet. Sipas Keshit, kjo ka ardhur si rezultat i mungesës së mbështetjes së shtetit për bujqësinë. E teksa puna në komunitet ka rënë, bujku Subi Keshi thotë se punon vetëm tokat e tij, por edhe aty ka probleme me mbështetjen me subvencione. Duke qenë se tokat i ka në emrin e babait të tij që ka ndërruar jetë, Subiut i është refuzuar mbështetja. Tjetër problematikë sipas tij është edhe mbivendosja e parcelave. Bujku Subi Keshi thotë se me këtë rënie që po pëson bujqësia, shumë shpejt as një pëllëmbë tokë në Maqellarë nuk do të punohet më.