Rekamë

Në periudhën 16-22 Shtator të çdo viti, me nismën e Bashkimit Europian, organizohet “Java Europiane e Qarkullimit”, e cila finalizohet me datën 22 Shtator, me ditën “Në qytet pa makinën time”. Edhe në qytetin e Burrelit u zhvillua sot një aktivitet sensibilizues nga Bashkia e Matit nëpërmjet Njësisë së Integrimit në BE pranë kësaj bashkie. Në këtë aktivitet sensibilizues u përfshinë punonjës të administratës së bashkisë si dhe të rinj të qytetit. Ata zhvilluan një marshim në këmbë në disa rrugë. Përgjegjësi i Njësisë së Integrimit në BE pranë Bashkisë Mat, Tomor Bukaçi tha se mesazhi i dhënë ditën e sotme është për të gjithë qytetarët, që të përdorin sa më pak makinën gjatë lëvizjeve brenda qytetit, për të kontribuar në uljen e ndotjes së mjedisit dhe ajrit. Nisma europiane e javës pa makina e ka zanafillën në Francë në 1998. U deshën vetëm katër vjet që ajo të bëhej një nga manifestimet me përfshirjen më të madhe në fushën e mbrojtjes së mjedisit. Qëllimi i nismës evropiane është pikërisht ndërgjegjësimi për të mundësuar rritjen e vëllimit të transportit me mjete miqësore me mjedisin.