Të paktën 10 mësues dhe 11 nxënës në 5 institucione arsimore në qarkun Dibër janë të infektuar me Covid-19. Bëhet fjalë për gjimnazin “Pjetër Budi”, Burrel, gjimnazin “Shaban Çollaku”, Klos, shkollën 9-vjeçare “Shefqet Tançi”, Bulqizë, “Demir Gashi”, Dibër dhe shkolla e Maqellarës. Gjendjen e krijuar po e ndjek me vëmendje edhe vetë prefekti Nexhbedin Shehu, i cili thekson se situata po monitorohet me kujdes nga të gjitha instancat përkatëse. Sipas Shehut në të gjithë qarkun janë 10 mësues që kanë rezultuar pozitiv për koronavirus, të cilët janë zëvendësuar me mësues të tjerë dhe mësimi në këto shkolla vijon normalisht. Prefekti i qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, gjeje rastin që përmes mikrofonit të “Mat Tv” të bëjë dhe një thirrje atyre qytetarëve që hezitojnë të bëjnë tamponin për analizat për koronavirus, se nuk është turp të dëshmosh se je pozitiv për këtë sëmundje, dhe kështu shmang kalimin e këtij virusi te të tjerët. Në qarkun Dibër, koronavirusi ka hyrë jo vetëm në institucionet arsimore, por edhe në institucione të tjera publike, duke paralizuar disi funksionin normal të tyre.