Prej afro 30 vitesh banorët e Njësisë Administrative Martanesh përballen me gangrenën e rrugës që i lidh ato me rrugën nacionale. 16.4 kilometra rrugë nga Qafa e Buallit në Krastë janë kthyer në tmerrin e mijëra banorëve të njësisë Martanesh dhe punonjësve të subjekteve minerare që operojnë në këtë zonë. Rruga e cila ishte e asflatuar para viteve 90-të, sot është degraduar dhe kthyer si një rrugë rurale. Ndonëse ky aks rrugor është pjesë e rrugëve kombëtare nën varësi të Autoritetit Rrugor Shqiptar, mirëmbajtja i bëhet si të ishte rrugë rurale e paasfaltuar. Drejtuesit e mjeteve dhe të subjekteve minerare thonë se problemi më i madh për zonën e Martaneshit mbetet kjo rrugë e cila nuk u rehabilitua e plotë kurrë. Ata shprehen se sa herë ka reshje shirash krijohen pellgje uji dhe gropat i shoqërojnë në të gjithë gjatësinë e tij. Kërkesa e vetme për ta është rehabilitimi i plotë i kësaj rruge tejet jetike për të gjithë.
Aksi Qaf Buall – Krastë për gjatësinë e tij prej 16.4 kilometrash mban record në Qarkun Dibër si rruga që ka prodhuar më shumë aksidente. E gjithë gjatësia e kësaj rruge është thuajse e mbushur me lapidare ku kanë humbur jetën drejtues mjetesh apo pasagjer teksa udhëtonin në këtë rrugë.