Që prej datës 31 Mars aksi nacionale Skuraj – Peshkopi është pa një përgjegjës zyrtarë për mirëmbajtjen e tij, për shkak të përfundimit të kontratës 5 vjeçare me firmën që e kishte më parë.
Por prej një muaji rruga është thuajse totalisht në mëshirë të fatit pasi nuk janë pastruar kanalet kulluese ansore të mbushura me gurë si pasojë e reshjeve të shirave të rëna gjatë muajit Prill. Por jo vetëm kaq, në rrugë janë rishfaqur gropat, pikërisht ato të cilat firma Geci i mbylli pak para se t’i përfundonte kontrata.
Një tjetër problematikë për drejtuesit e mjeteve është edhe dëmtimi i murit mbrojtës në vendin e quajtur sektori C. heqja e pengesave rrezikon përdoruesit e rrugës.
Sakaq, Autoriteti Rrugor Shqiptar i ka paraprirë kësaj situate, duke bërë tenderimin para se të mbyllej kontrata e fundit duke njoftuar hapjen e tij me datë 11 Mars dhe mbylljen me datë 11 Prill. Kështu, sipas të dhënave të publikuara në platformën opendata albania, që nga data 11 Prill pritet fituesi i garës për mirëmbajtjen me performancë të akseve kryesore të Rajonit Qëndror e Verilindor” në vlerën e 14.2 miliard lekëve apo e afro 11.5 milion eurove. Ndryshe nga kontrata e fundit, kjo do të jetë me afat dy vjeçarë.
Por deri sa të shpallet fituesi i kësaj gare, të gjithë përdoruesit e kësaj rruge duhet të marrin parasysh rreziqet që ju kanosen.