(Video) Familja Sufa nga Dibra në skamje dhe në rrezik nga shembja e banesës

0

Mes maleve të larta që rrethojnë fshatin “Kraj Reç” në Bashkinë e Dibrës jeton në kushte ekstremisht të varfra familja Sufa prej 5 anëtarësh.  Kryefamiljari Xhelal Sufa thotë se jetesa është tepër e vështirë pasi nuk kanë asnjë të ardhur ekonomike pos ndihmës ekonomike prej 6 mijë lekësh që marrin nga bashkia. Ai shton se jo vetëm që nuk ka asnjë të punësuar, por nuk ka as bagëti e tokë për ta kultivuar. Xhelali prej një viti nuk mund të bëjë asnjë punë pasi një thyerje e këmbës, e ka bërë të pamundur të punojë. Por si të mos mjaftonin problemet ekonomike, banesa e familjes Sufa është gati në shembje të plotë. Në fillim të këtij viti, banesa u dëmtua shumë në anën perëndimore, por askush nuk i ka ndihmuar.

E zonja e shtëpisë, Luftime Sufa thote se banesa është e ndarë për dy familje ndërsa dhoma në të cilën jetojnë aktualisht është e kunatit, pasi dhomat e tyre janë shembur e janë krejtësisht të rrezikshme. Apeli i saj është për të gjithë shqiptarët që ta ndihmojnë për një banesë të sigurtë.

Lusiana është 16 vjeçe ndërsa ka ndëprerë shkollën pas mbarimit të klasës së 9-të. Ëndërra e saj ishte të vazhdonte edhe gjimnazin, por familja e saj nuk kishte mundësi ekonomike.

 Kryefamiljari Xhelal Sufa shoqërohet gjatë gjithë kohës nga dy persona pasi e ka të vështirë të ecë vetë. Në pamundësi për të ndryshuar të ardhmen e saj, kjo familje shpresën e vetme e ka tek intancat shtetërore dhe tek shqiptarët që duke u bërë bashkë ta ndihmojnë dhe ta nxjerrin nga ky mjerim që i shoqëron prej shumë vitesh.