Rekamë

Ilirjan Hasanaj, 19-vjeçari që u vetëdorëzua në Policinë e Shkodrës pasi kërkohej për atentatin ndaj shefit të Policisë Bashkiake në Malësi të Madhe, Mentor Hasanaj, ka pranuar autorësinë.

Mësohet se Ilirjan Hasanaj ka deklaruar se është ai autori i plagosjes ndërsa ka zbardhur edhe motivin, i cili sipas tij lidhet me një çështje të vjetër pronësie.

Ai ka thënë se atentatin nuk e ka kryer me paramendim, por se në momentin që e ka parë të kalonte me makinë, duke qenë edhe nën efektin e pijeve alkoolike, e ka ndjekur nga pas me motoçikletë dhe ka hapur zjarr ndaj makinës së tij me armë, duke lënë të plagosur kryepolicin dhe babain e tij, ndërsa e shoqja iu shpëtoi plumbave.

Pjesë nga dëshmia e 19-vjeçarit Hasanaj:

Unë e kam qëlluar shtetasin Mentor Hasanaj por e kam bërë pa paramendim. Nuk kam qenë i parapërgatitur për një gjë të tillë. Thjeshtë e kam parë duke kaluar në rruge dhe i jam vënë mbrapa. Armën e kam patur me vete sepse ka pasur disa kohë që e kisha dhe nuk është se e kam marre atë dite, më ka qëlluar me vete.

I jam vëne mbrapa dhe e kam qëlluar, por në ato momente kam qenë disi nën ndikimin e alkoolit. Thjeshtë e kam parë rastësisht teksa kalonte me makine dhe e kam ndjekur në atë moment.

Arsyeja e plagosjes lidhet me një problem pronësie tonën. Eshtë një konflikt i vjetër pronësie mes nesh dhe unë këtë histori e kam dëgjuar nga babai dhe kur e kam parë, në atë moment duke qene edhe i alkoolizuar, e kam ndjekur dhe e kam qëlluar, por nuk kam pasur një plan të përgatitur.

Duke qenë drejtor më erdhi në mendje se mund të na pengonte tek pronësia, por çdo gjë ka qenë në atë moment. Ndërsa kushëriri im nuk ka patur asnjë ide se çfarë kam bëre unë, por thjesht e kam thirrur, duke i thënë që të më merrte, sepse kisha nevojë, por pa i treguar arsyen. Ai nuk ka qene aspak në dijeni të plagosjes.

Unë jam penduar maksimalisht për çfare kam bërë dhe për këtë fakt edhe jam vetëdorezuar në polici. Fillimisht kam qenë i tronditur dhe kisha frikë por tani e kam kuptuar dhe jam shumë shumë i penduar, ndaj kam ardhur që ta pranoj çfarë kam bërë.