
Shpallja ‘non grata’ e Sali Berishës edhe nga Mbretëria e Bashkuar, duhet të jetë një sinjal i qartë edhe për drejtësinë, e cila tashmë duhet të veprojë. Kështu tha i ftuar në Report Tv, në emisionin ‘Studio Live’, Lavdrim Krashi, i cili me diplomaci u shpreh, që ky nuk është një lajm i mirë në vetvete për Shqipërinë, por nga ana tjetër çoi një mesazh për të gjithë ato që abuzojnë me taksat e shqiptarëve dhe kryejnë korrupsion.
Deputeti socialist, i cili ka jetuar prej kohësh në Britaninë e Madhe, tha për gazetarin Arbër Hitaj, se politika e Mbretësisë së Bashkuar bazohet në parime dhe tek drejtësia, ndërsa shtoi se ky vendim nuk ka ndikime nga Soros. Krashi tha se kjo është vetëm masa e parë ndaj Berishës, e cila quhet si masa e emigracionit, por do të ketë edhe një fazë të dytë për sanksionet të tjera në lidhje dhe me pasurinë.
‘Britania e Madhe me largimin nga BE ka kushtuar një vëmendje më të shtuar për Ballkanin Perëndimor, qeveria britanike ka dërguar një të dërguar të Posaçëm që merret kryesisht me çështje e tregtisë dhe të sigurisë me Ballkanin Perëndimor. Deklarimet kanë ardhur prej këtij, pasi është autorizuar nga MB për këto çështje. Politika britanike është politikë parimore, e drejtësisë. Ka shumë ngjashmëri me sanksionet që janë ndërmarrë nga rusët. Politika britanike nuk ka lidhje me kush është në pushtet në Shqipëri, ajo është një politikë e Brendshme. Ministria e Punëve të Brendshme është shumë specifike, në këtë kuptim nuk ka asnjë shqiptar që të ndihet krenar. Sot ne kemi marrë disa të dhëna për qëndrimin që ka marrë Mbretëria e Bashkuar. Nuk mendoj se ka ndikime nga Soros, njerëzit duhet ta shohin së pari nga vetja e tyre. Çdo politikan apo person publik që paguhet nga taksat e popullit nuk duhet të ndihet i qetë. Kushdo që ka përlyer veten e tij, kundër të cilit ka fakte që është përfshirë në afera korruptive, në Shqipëri, por edhe jashtë Shqipërisë. E kanë lidhur sanksionet me masa emigracioni. Ky është momenti i parë, por do ketë edhe fazë të dytë. Ministria e Punëve të Brendshme, ajo që është përdorur, sot është edhe çështja e emigracionit, ka disa element të tjerë, të cilat do të aplikohen edhe në rastin e atyre që vijnë.’- u shpreh Krashi.