Home Blog Page 5

URA E LUSËS DREJT DEGRADIMIT TOTAL – RREZIK PËR KËMBËSORËT DHE DREJTUESIT E MJETEVE

Ura e Lusës, pjesë e rrugës nacionale Burrel–Klos, vijon të jetë një nga pikat më problematike për sigurinë rrugore në këtë aks. E ndërtuar dekada më parë, kjo vepër arti infrastrukturore nuk përmbush më asnjë standard sigurie, ndërsa prej vitesh nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje rehabilituese.

Banorët e zonës shprehen të shqetësuar, pasi ura nuk ka një hapësirë të dedikuar për këmbësorët, duke e bërë kalimin mbi të të rrezikshëm, veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit.


Njëri nga banorët shprehet: “Jemi lodhur duke kërkuar zgjidhje. Nuk ka as mbrojtëse, as vend për këmbësorë. Të kalosh këtu është si të luash me jetën.”

Pak ditë më parë, një tjetër automjet është përplasur me barrierat prej betoni, duke i dëmtuar edhe më shumë ato. Ndërkohë, në hyrje të urës, në krahun e djathtë, ka nisur një ulje e terrenit, që sipas banorëve ky është sinjal i parë i dëmtimit të strukturës së urës.

Në pjesë të ndryshme, barrierat mbrojtëse janë degraduar plotësisht dhe në disa pjesë mungojnë. Banorët kërkojnë vendosjen e mbrojtëseve metalike dhe ndarjen e një hapësire për këmbësorët, përpara se të ndodhë ndonjë fatkeqësi.

Edhe pse rruga Burrel–Klos iu nënshtrua rehabilitimit të plotë në vitin 2018, Ura e Lusës mbeti jashtë ndërhyrjeve efikase. Banorët ngrenë alarmin dhe kërkojnë zgjidhje të menjëhershme për të garantuar sigurinë e qarkullimit mbi këtë urë jetike për zonën dhe jo vetëm.

FAMILJES ARAPI I RREZIKOHET BANESA NGA KANALI I KLOSIT

  Familjes Arapi, në fshatin Pleshë të Bashkisë Klos, po i rrezikohet banesa nga vepra më e madhe vaditëse në rreth, kanali i Klosit. Kjo pasi uji i këtij kanali, për shkak të amortizimit të tij, rrjedh dhe nga nëntoka hyn në banesë dhe në oboriin e familjes Arapi. Ky problem është shfaqur prej vitesh, por pa gjetur një zgjidhje nga organet kompetente. Kryefamiljari Avni Arapi thotë se prej disa herësh ka informuar, Bashkinë Klos, Prefekturën Dibër, Bordi i Kullimit dhe Ministrinë e Bujqësisë, dhe përgjigja e tyre është se problemi do të verifikohet nga grupet e ekspertëve në terren, gjë që ende nuk ka ndodhur. Në kushtet ku kanali vaditës i Klosit është i amortizuar tej mase dhe prurjet e tij në sezonin e vaditjes janë tejet kapacitetit mbajtës, kryefamiljari Avni Arapi thotë se ai dhe familja e tij ndihen të rrezikuar nga vërshimet e ujit:

Megjithëse miliona lekë janë investuar nga familja Arapi për t’i bërë një mur mbrojtës për vërshimet e kanalit vaditës të Klosit, sërish rreziku është i pranishëm. Ndaj, shprehet Avniu, këtë vit nëse nuk bëhet hidroizolimi i kanalit vaditës, do të ndërmarrë veprime ekstreme, duke shkuar deri në bllokimin e tij.

Si një “finale”/Champions league, Bayern Munich pret në shtëpi Inter (sonte live në platformën e Mat Tv)

0

Atmosfera duket shumë e mirë. Natyrisht, në kampin e Bajernit, në “Zebener Shtrase”, yjet janë mësuar me çdo lloj sfide, edhe kur kanë përballë Interin në Ligën e Kampionëve, e kur mungesat janë aq shumë sa më nuk bëhet.

Bavarezët luajnë shanset e tyre për gjysmëfinalen të ndërgjegjshëm se të paktën 7 futbollistë nuk janë në dispozicion të trajnerit Vinsens Kompani. Nojer, Dejvis, Ito dhe Musiala janë të dëmtuar, ndërsa Koman e Pavloviç ende në stërvitje individuale.

Problem I madh sidomos lëndimi i fundit i njërit prej yjeve kryesorë, Musialës. Gjithsesi, trajneri Vinsent Kompani nuk e humb besimin, ndërsa Bajerni i tij po i afrohet gjithnjë e më shumë objektivit të madh. Për më tepër, gjermanët janë favoritë sipas parashikimeve.

“Këto ndeshje vendosen nga episodet, jo nga taktika. E dimë se Interi është skuadër shumë e rrezikshme, por e dimë se çfarë duhet të bëjmë për të fituar. Mendoj se mungesat e shumta nuk duhet të jenë justifikim për ne. Duhet të shohim përpara, luajmë në Champions. Unë kam besim tek lojtarët që do të jenë sot në fushë, e di se do të japin më të mirën. Nuk kam ndërmend të ndryshoj as strategjinë time, dhe as objektivat që kemi në këtë sezon”.

Interi gjithashtu ka probleme, por sidomos shqetëson mungesa e vazhdimësisë.

Kristian Asllani është I pezulluar, ndonëse ylli kuqezi nuk është alternativë kryesore.

Mungesë edhe Damfris, Zielinski, Taremi dhe Karboni.

Sa i shqetësuar është trajneri Simone Inzagi për hapin e gabuar në Parma në Serinë A?

“E dimë se çfarë kemi bërë këtë vit, por edhe e dimë se në ndeshjen e fundit nuk luajtëm mirë. Nuk jemi të lumtur për rezultatin, sepse ndeshjen donim që ta fitonim. Gjithsesi, Championsi na jep një sfidë të madhe ndaj një skuadre që, bashkë me Realin, është favorite për të arritur në finale. Do të luajmë siç kemi bërë gjithmonë. Lojtarët e dinë sesa kemi vuajtur për të qenë këtu. Duhet të jemi skuadër e bashkuar sepse luajmë në një stadium shumë të vështirë”.

Dy gjigandët europianë kanë disa përballje më parë në Europë. Në Champions, Interi I Murinjos fitoi finalen në 2010 me shifrat 2-0, dhe ka dy kualifikime, ndonëse Bajerni ka fituar më shumë ndeshje. Në Kupën UEFA në 1988 nuk harrohet përmbysja e madhe bavareze, me suksesin 3-1 në “San Siro”, pas humbjes 0-2 në Mynih. BURIMI:/abcnews.al

Edhe bletaria në rrezik, shkak luhatjet e temperaturave

Luhatjet e temperarturave po dëmtojnë edhe sektorin e bletarisë. Ata që merren me bletë thonë se ulja e ndjeshme e temperaturave ditët e fundit në një kohë që ajo ishte gati të shtohet, po e dëmton shumë sektorin e bletarisë. Lazim Miftari, nga Dobrova e Dibrës, shprehet se dëmi mund të jetë i madh nga këto ndryshime klimatike të befta në këtë periudhë që bleta duhet të dalë në kullotë. Por kjo sipas tij pritet për tu parë pas pak ditësh.

Nga ana tjetër, bletari Lazim Miftari thotë se problem mbeten edhe preparatet e spërkatjes së pemëve frutore kur janë në lulëzim. Sipas tij, kjo po e dëmton rëndë bletarinë pasi nuk ka kontrollin e

Një tjetër shqetësim që ngre bletari Lazim Miftari është edhe subvencioni që merret për bletët.  Dëmtimi që pësojnë bletarët në vendin tonë nga faktor të ndryshëm nuk merret parasysh nga shteti, ndryshe nga shteti fqinj i Maqedonisë së Veriut ku nëse dëmtohet një koshere, shteti jep 325 euro.

Bletari Lazim Miftari kërkon nga shteti që të shtojë më shumë mbështetjen ndaj sektorit të bletarisë pasi po vihet në rrezik.

Bora shkakton dëme të mëdha në frutikulturë në Dibër

Reshjet e dëborës të rëna gjatë së dielës në Dibër kanë lënë pasoja të rënda në frutikulturë. Prania e dëborës dhe më pas ngrica gjatë natës ka shkaktuar dëme të mëdha në frutikulturë. Pemët frutore që ishin në lulëzim apo ato që ishin në formim të frutit janë dëmtuar të gjitha. Fermerët thonë se kjo është situatë e pazakontë për periudhën ndërsa ndjehen të pafuqishëm për ta përballuar. Nderim Kryemadhi shprehet se prodhimi në qershitë që dëbora i ka zënë në lulëzim apo në formim të frutit do të jetë zero për këtë vit për shak edhe se temperatrurat gjatë natës kanë zbritur disa gradë nën zero. Sipas Kryemadhit mungesa e mbështetjes në raste të tilla nga ana e shtetit për t’i subvencionuar rrit akoma më shumë dëmin dhe step fermerët që ta vazhdojnë këtë aktivitet edhe në vitet e ardhshme.

Fermerët kërkojnë që dëmet nga fatkeqësitë natyrore të subvencionohen nga shteti pasi agjensitë e sigurimeve nuk pranojnë që t’i sigurojnë fermat e pemtarisë.

Ujërat e zeza në Suç, vijojnë të jenë në sipërfaqe e të ndotin ambjentin

Problemi kryesor i banorëve të fshatit Suç në Bashkinë e Klosit mbetet sistemimi i ujërave të ndotura. Prej vitesh banorët kanë kërkuar zgjidhje e këtij problemi nga ana e institucioneve vendore, por deri tani asnjë masë nuk është marrë. Prania e ujërave të zeza në sipërfaqe vijon të shqetësojë jo vetëm kalmitarët por të gjithë ata që jetojnë në brendësi të fshatit.

Në mungesë të një sistemi për ujërat e ndotura, ato rrjedhin lirshëm në sipërfaqe. Më problematike situata paraqitet në afërsi të shkollës së mesme të Bashkuar “Haxhi Lata” e cila është rikthyer në funksion të nxënësve që nga muaji Shtator i vitit të kaluar.

Jashtë kameras, banorët e zonës kërkojnë që të ndërhyhet sa më parë në sistemimin e ujërave të ndotura pasi me rritjen e temperaturave, ky do të jetë një problem i shtuar për vetë banorët dhe qindra nxënës që mësojnë në shkollën e mesme të bashkuar të fshatit Suç.

Sistemimi i ujërave të ndotura në fshatin Suç kërkon gjithëpërfshirje, ndërsa mbetet favor arsyeja që banesat janë shumë pranë njëra-tjetrës dhe një sistmim me rrjet do të ishte më i lehtë.

Emigrantët dhurojnë autoambulancë për Qendrën Shëndetësore të Klosit

Qendrës Shëndetësore Klos i është shtuar një autoambulancë e cila do të shërbejë për pacientët e kësaj qendre shëndetësore në katërt njësitë administrative. Kjo autoambulancë e ardhur nga Italia është bërë e mundur falë një donacioni ekonomik të disa të rinjve klosjanë që jetojnë në vende të ndryshme të botës. Ajo ju dorëzua këtë të hënë Qendrës Shëndetësore të Klosit, e cila në vijim do ta përdorë për të gjitha nevojat shëndetësore që do të kenë banorët e Xibrit, Klosit, Gurrës e Suçit. Iniciator i këtij donacioni ka qenë drejtori i Spitalit Bashkiak Mat, Erion Bala, i cili tha se kjo është falë kontributit të shumë të rinjve klosjanë që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, por jo vetëm.

Një falenderim për donatorët bënë edhe Drejtoresha e Qendrës Shëndetësore Klos, Nexhmije Dedolli dhe Drejtori i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Mat, Altin Bojni.

Veç autoambulancës, donatorët: Andi Alla, Vath Cidri, Armand Topalli, Jorlind Elezi, Jetmir Reçi, Besmir Vela, Matjan Vela, Dritan Dema, Elton Dedolli, Arben Çela dhe Erion Bala kanë sjellë edhe bazë materiale për njerëzit që kanë probleme me ecjen.

Familja Doka e rrezikuar nga aksidentet, kryefamiljari bën apel për ndihmë

  Një tjetër familje së cilës ndërtimi i rrugës që lidh Matin me rrugën e Arbrit në fshatin Fshat të Bashkisë Klosit i ka krijuar rrezik është edhe ajo e Klodjan Dokës. Ky i fundit banon në afërsi të rreth-rrotullimit të fshatit Fshat. Klodiani shprehet se familja e tij është e rrezikuar në çdo moment për shkak se automjetet që vijnë nga rruga e Arbrit rrëshqasin e përplasen me barrierat metalike që janë mbi shtëpinë e tij. Barrierat nuk mbajnë asgjë, thotë ai, duke bërë që mjetet të përfundojnë në oborrin e banesës.

Një aksident i tillë ndodhi edhe pasditen e së dielës, ku një automjet tip benz, që po lëvizte në drejtim të Klosit, doli nga rruga dhe u përplas me barrierën. Klodiani thotë se problemin e shtëpisë së tij j aka bërë të ditur që në fillim firmës ndërtuese të rrugës së Arbrit “Gjoka Konstruksion”. Ai thotë se i ka kërkuar t’i ndërtohet një mur, në mënyrë që të mos i rrezikohet jeta e fëmijëve. Por jo vetëm kaq, Klodian Doka shprehet gjithashtu se minimumi i kërkesës së tij ka qenë që firma t’i sjellë gurët dhe murin ta ndërtojë vetë, por as kjo kërkesë nuk i është plotësuar.

Kryefamiljari i dëmtuar Klodian Doka u bën apel institucioneve shtetërore përgjegjëse ta zgjidhin këtë problem, pasi, thotë ai, po i rrezikohet jeta e familjes çdo ditë nga aksidentet e automjeteve.

Qarku i Dibrës u përfshi dje nga reshjet e borës, flet prefekti Shehu për situatën

Qarku i Dibrës u përfshi nga reshjet e dëborës ditën e djeshme ku trashësia në zonat malore shkoi deri në 30 cm. situatë shumë problematike u krijua në rrugën e Arbrit e cila u bllokua për më shumë se tre orë për shkak të prezencës së dëborës dhe akullit. Tjetër rrugë problematike ishte edhe ajo që lidh Matin me rrugën e Arbrit. Vetëm rreth mesnatës është bërë e mundur që qarkullimi në këto rrugë të bëhet normalisht dhe paprobleme.

Ndërkohë, prefekti i Qarkut Dibër Nexhbedin Shehu tha se situata këtë të hënë është normalizuar dhe se nuk ka probleme me qarkullimin e automjeteve qoftë në rrugët nacionale e qoftë në ato rurale.

Shqetësim për prefektin Shehu mbetet dëmi që mund të shkaktojnë ngricat qoftë në frutikulturë e qoftë në sektor të bujqësisë pasi është periudhë e lulëzimit të pemëve frutore apo bimëve të tjera bujqësore.

Temperaturat pritet të jenë të ulta edhe në dy ditët në vijim ku në Peshkopi e Bulqizë pritet të zbresin deri në – 6 gradë Celsius.

Aksident në dalje të tunelit të Murrizit! 19-vjeçari humb kontrollin e makinës, 4 të plagosur

Një aksident ka ndodhur rreth orës 23:45 në hyrje të tunelit të Murrizit, në aksin Tiranë-Klos. Sipas njoftimit të policisë, shtetasi K.L., 19 vjeç, ka humbur kontrollin e automjetit dhe për pasojë makina ka dalë nga rruga.

Si rezultat i aksidentit, janë plagosur drejtuesi i automjetit dhe tre pasagjerët: shtetasit K.Gj., U.M., dhe F.K. Të gjithë të dëmtuarit janë transportuar dhe po marrin ndihmën mjekësore në Spitalin Universitar Tiranë. Grupi hetimor është në vendin e ngjarjes dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Njoftimi i policisë:

Klos/Informacion paraprak

Rreth orës 23:45, në hyrje të tunelit të Murrizit, me kah lëvizjeje Tiranë-Klos,  shtetasi K.L., 19 vjeç, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga.

Si pasojë janë dëmtuar drejtuesi i automjetit dhe pasagjerët shtetasit K.Gj., U.M dhe F.K., të cilët po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin Universitar Tiranë.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.